Kurti: Shkëmbimi territorial ka dështuar si projekt por s’ka vdekur si ide

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka vdekur si ide, por siç thotë ai ka deshtuar si projekt

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur për marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk la pa përmendur shkëmbimin territorial.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, e ka ripërsëritur se nuk do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Krerët në Serbi janë ata që para pak viteve provuan ta bëjnë projektin e shkëmbimit territorial i cili si ide nuk mund të them se ka vdekur por si projekt gjithsesi ka dështuar”, është shprehur Kurti në TV Syri.

Ai ka potencuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese dhe sipas tij, kjo është arsyeja pse vazhdon të jetë një marrëveshje e papranueshme.

“Nuk jam kundër serbëve, por Serbia është kundër neve dhe nuk mund të lejoj një Republikë serbe të dytë në Kosovë, ngjashëm siç e kanë në Bosnje. Besoj që ngjashëm e kanë synimin edhe në Kosovë”, shtoi Kurti.

“Të njëjtit që provuan ndarjen e Kosovës në emër të shkëmbimit territorial janë ata të cilët e kërkojnë me shumë ngulm e kërkojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe që është i papranueshëm për ne”, ka thënë kryeministri.

Ai ka theksuar se prej marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, “ajo që kurrsesi nuk bën të zbatohet është kjo”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se ka marrëveshje të mirë që janë arritur në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe, por nuk janë zbatuar, “ajo për diploma, por nuk është zbatuar kurrë”.

Por, sipas Kurtit, ajo për fusnotën ka qenë e dëmshme për Kosovën.

“Ajo për fusnotën që e kam kundërshtuar, por tash na vendosin atë në Bruksel. Në arenën ndërkombëtare na kanë deformuar”,

I pari i ekzekutivit, ka folur edhe për marrëveshjen për energjinë në mes dy shteteve fqinje.

“Besoj që ajo marrëveshje nuk është e mirë, dhe ajo çfarë kemi bërë ne tash është një udhërrëfyes i zbatimit në të cilën ka afate të caktuara, të cilat maten me ditë, jo me javë apo me muaj apo me vite. Qysh në këtë javë që hyjmë do të duhej që Elektroserveri ta dorëzojë listën e konsumatorëve të KEDS-i apo KOSTT”, ka thënë ai.

“Ballkani i Hapur – i gabuar”

Për kryeministrin Kurti, iniciativa “Ballkani i Hapur”, është nismë e gabuar.

Kurti ka se “të hapet Ballkani siç është hapur Serbia për Kinën dhe Rusinë është gabim”.

“Le të hapet Serbia për Kosovën. Çka nuk është e mirë për Kosovën nuk është e mirë as për Shqipërinë, në procesin e Berlinit udhëheq Gjermania, në Ballkanin e Hapur udhëheq Serbia”, ka thënë ai.

Kurti ka pohuar se Serbia dëshiron që Gjermania të mos pajtohet me Francën.

“Serbia dëshiron që faktorët perëndimor të jenë të ndarë, është gabim të luajmë sikur Serbia. Më së shumti Ballkanin e Hapur e mbështet Serbia dhe e kundërshton Kosova”, shtoi kryeministri.

Kurti për liberalizimin e vizave: Kur s’ka arsye nuk ka as shpjegim

Kryeministri Kurti ka thënë se nuk ka as arsye e as shpjegim lidhur me mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Teksa është pyetur se a ka ndonjë arsye tjetër përveç kritereve të plotësuara, a është një kusht politik në raport me marrëveshjet me Serbinë, Kurti beson se kjo më shumë ka të bëjë me imazhin e dikurshëm të Kosovës.

“Nuk kam marrë asnjë shpjegim pse deri më sot nuk janë liberalizuar vizat kur dihet se i kemi plotësuar 95 kritere, më shumë se dyfishin se Shqipëria, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut dhe pikërisht në korrik bëhen 4 vjet që Komisioni Evropian për herë të dytë ka thënë që duhet të liberaliziohen vizat për Kosovën, por nuk ka arsye. Kur s’ka arsye nuk ka as shpjegim”, ka thënë ai.

“Besoj që më shumë bëhet fjalë për një imazh të kaluar të Kosovës që nuk ka qenë i mirë me raportet e progresit për korrupsionin dhe krimin e tash jemi përmirësuar shumë, por në të njëjtën kohë ka edhe elemente iracionale të shteteve të veçanta në BE që tremben për bindjen time pa arsye”, shtoi ai.

Kurti për rrëzimin e tij nga Rama: S’ka gjë prej kësaj pune

Kur pyetet se a i duket që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po tenton ta rrëzojë Kurtin si kryeministër, ai shprehet se ndonëse nuk është i sigurt që ky është qëllimi i Ramës, sipas tij, edhe nëse është “s’ka gjë nga kjo punë”.

“Nuk jam i sigurt që ky është synimi i tij, por le ta zëmë që është synimi i tij dhe unë besoj që është bindur se nuk ka gjë prej kësaj pune. Si kryemisnitër i Shqipërisë, është jo vetëm i lirë por edhe i dëshiruar që sa herë të mundet të vijë në Kosovë sa më shpesh dhe të takojë këdo”, ka thënë Kurti.

“Natyrisht se ka shumë njerëz të tjerë të mirë për t’i takuar dhe mbase i ka lënë për një takim tjetër por jam shumë i interesuar që sa më shumë Qeveria e Shqipërisë të vijë në Kosovë”, shtoi ai.

Rasti i ambasadorit Berishaj

Ndërkohë Kurti është pyetur edhe nëse është i përfshirë në skandalin e pretenduar nga mediat e huaja për Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ai ka thënë se as qeveria por as diplomacia e Kosovës nuk ka të bëjë asgjë me këtë rast.

Madje Kurti shtoi se do të ketë kallëzim penal lidhur për “shpifjet e tilla”.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni, përkundrazi do të ketë kallëzim penal e sqarim në gjykatë për shpifje të tilla. Profesor Berisha është ambasador i Kosovës në Kroaci, është patriot i malësisë, është profesor i shkëlqyeshëm, nuk ka gjë aty, ai ishte pjesë e një fushate që zhvillohej në Slloveni, ku ish-kryeministri Jansha i humbi zgjedhjet dhe e përfshin profesorin ambasador në disa luftëra të tjera të brendshme ku nuk ka të bëjë asgjë as qeveria dhe as diplomacia e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika