Kurti shmang pyetjen për formimin e institucioneve: Po shkoj në Kryeministri

Kryeministri në detyrë Albin Kurti sërish iu është shmangur pyetjeve të gazetarëve për sa i përket formimit të institucioneve.

“Po shkojë në kryeministri”, tha shkurt Kurti para mediave.

Pavarësisht se rezultatet e zgjedhjeve ende nuk janë certifikuar, nuk kanë nisur bisedimet mes partive politike për mundësinë e një bashkëpunimi për formimin e institucioneve të reja.

Kurti ka theksuar vazhdimisht se fillimisht duhet të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve dhe më pas të nisin bisedimet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpallur më 27 qershor rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke hapur rrugën për certifikimin e tyre dhe formimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë partia e parë me 47.13% të votave, që i siguron 53 ulëse në Kuvendin me 120 deputetë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 19.44% apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69% apo 18 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.74% apo 7 ulëse.

Të fundit nga rubrika