“Po të kishte qenë shkelje, vendimi i 31 korrikut për reciprocitet, po të mos e kishte kuptuar populli që nuk ishte vendim i drejtë, sot do të ishte sheshi i mbushur me protesta, sikurse kur ishte për Zajednicë e për shkëmbim territorial”, kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, ndaj replikave të opozitës për shtyerjen e vendimit të Qeverisë për reciprocitet ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se disa gjëra që kanë ndodhur në vitet e kaluara që kanë qenë në kuadër të projektit për shkëmbim territorial vijnë nga parulla “we are not problematic guys”, nga treni serbo-rus, dhe arrestimi spektakolar i Gjuriqit e lirimi i tij spektakolar pa gjobë, për të cilat Kurti tha se të gjitha janë në dritën e shkëmbimit territorial që ka dështuar si projekt.

E për reciprocitetin ka thënë “Reciprociteti në këtë sallë të Kuvendit në janar të vitit 2012 është hedhur poshtë, ndërsa opozitës i është dashur më shumë se 10 vjet me mbështet reciprocitetin dhe me i thënë Kurtit tash bëje më shpejt”.

Ndërsa për anëtarët nga Lista Serbe, Milan Radojçiq dhe Goran Rakiq, ka thënë “Për  Radojçiq ka akuzë, për të cilin është hequr fletëarresti për arsye taktike-teknike dhe është në listë të zezë, ndërsa në atë listë nuk është Rakiq sikurse Radojçiq”.

Ai ka thënë se shteti që ka nuanca e strategji është shtet i fortë dhe duhet të bëjë dallime në mes të kriminelëve.

Ndërsa ndaj replikës së Shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, se kryeministri Kurti nuk po e bën rritjen e pagave, Kurti është përgjigjur duke thënë se parulla e Qeverisë Kurti ka qenë “drejtësi dhe punësim” e jo rritje të pagave.

“Pagat, pagat pagat, unë e di që jeta është bërë më e vështirë në Kosovë, por parulla jonë me të cilën kemi fituar në zgjedhje është ‘punësim dhe drejtësi’, ju keni garuar si parullë për rritje të pagave, m’i shti në punë ata që nuk janë, e jo ata që janë që nuk dihet si kanë hyrë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë se parullat e opozitës nuk mund të realizohen nga Qeveria Kurti.