Kurti s’jep detaje, thotë se këtë fundjavë do ta dimë nëse ka marrëveshje me Nismën
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar sot në një konferencë për media se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe i ka bërë një ofertë konkrete për bashkëqeverisje. Por ai nuk dha detaje për përmbajtjen e ofertës, duke thënë se hollësitë do të bëhen publike vetëm nëse arrihet marrëveshja […]
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar sot në një konferencë për media se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe i ka bërë një ofertë konkrete për bashkëqeverisje.
Por ai nuk dha detaje për përmbajtjen e ofertës, duke thënë se hollësitë do të bëhen publike vetëm nëse arrihet marrëveshja përfundimtare.
“Me kryetarin Limaj kemi zhvilluar një takim pardje. Kemi diskutuar për zhvillimet politike… kemi shprehur tashmë jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhej me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt dhe sa më mirë. Dhe ta kemi konstituimin e kuvendit dhe qeverinë e re”, ka theksuar ai.
I pyetur konkretisht për përmbajtjen e ofertës, ai refuzoi të japë detaje.
“Për hollësitë e përmbajtjes së ofertës sonë që do të duhej të rezultojë më marrëveshje mund të flasim atëherë kur bisedimet të jenë të finalizuar me atë marrëveshje. Ndërkaq është për të ardhur keq që konstituimi po vonon që nga data 19 prill…Praktikisht i bie tre muaj pa konstituim”, ka deklaruar ai në konferencë për media.
Kurti mes tjerash ka thënë se në këtë fundjavë do të bëhet e qartë nëse është arritur marrëveshje me Nismën Socialdemokrate.
“Unë uroj e shpresoj sepse punoj që kjo të bëhet në këtë javë dhe të përmbyllet e kësisoj ju kisha kërkuar edhe pak durim. Në këtë fundjavë ose do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur, ose do ta kemi lajmin për mungesën e tij se çfarë ndodhë pas 30 ditëve”, ka shtuar ai.















