Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se ngecjet në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk janë për shkak të Kosovës, por shkak të mungesës së zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit.

Ai ka theksuar se edhe pse në vitin e kaluar është arritur një marrëveshje, implementimi i saj ka hasur në sfida të mëdha për shkak të shkeljeve sistematike nga ana e Serbisë.

Kurti ka thënë se ndërprerja e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të saj nga Ohri ka mbajtur tensionet në dialog.

“Më 27 shkurt të vitit të kaluar bëmë marrëveshje. Ajo marrëveshje është njohje de facto së paku. Më 18 mars ia bashkëngjitëm edhe një aneks dhe aty thuhet se asnjë nen nuk është më i rëndësishëm se tjetri. Kur u pa progresi, Serbia filloi sistematikisht t’i shkelë e të mos i respektojë 11 nene, 8 prej tyre me siguri i ka shkelur shumë herë dhe gjashtë fjali në preambulë. Për fatin tonë të keq, Brukseli si një arbitër nuk reagonte me rastin e këtyre shkeljeve. Pra moszbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të zbatimit nga Ohri e kanë mbajtur temën e dialogut gjallë. Pra flitet shumë për dialogun sepse nuk kemi arritur rezultatet e dëshiruara”, ka deklaruar Kurti në një emisionin për RTK-në.

Në lidhje me këtë, Kurti ka theksuar se përgjegjësia për këtë situatë përkthehet te mosreagimi i Brukselit ndaj shkeljeve serbe dhe mosndëshkimi i tyre.

Ai ka deklaruar se derisa të ketë shkelje të Marrëveshjes, nuk mund të ketë as zbatim të saj.

“Nuk mund të kemi zbatim të marrëveshjes derisa kemi shkelje të saj. Sot jemi në këtë situatë jo të mirë për shkak se arbitri nuk e ka qortuar Serbinë që bëri shkelje të marrëveshjes”, ka thënë kreu i ekzekutivit për RTK-në.

Kurti bën thirrje për një reagim më të fuqishëm të BE-së ndaj shkeljeve të Serbisë, duke insistuar se vetëm kështu është e mundur të vazhdohet përpara në normalizimin e marrëdhënieve.

Po ashtu, Kurti ka vlerësuar se kujdesi i tepruar ndaj Serbisë nga disa vende të BE-së ka shkaktuar dëme, duke e bërë Serbinë të ndjehet e pafajshme për shkeljet e saj.

Në lidhje me çështjen e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, Kurti ka thënë se Kosova e ka një marrëveshje të re me Serbinë, e cila është e vlefshme dhe e obligueshme ligjërisht sipas dokumenteve të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit Evropian.

Kurti: Marrëdhëniet me SHBA-në janë shumë të mira

Mes tjerash, Kurti i ka cilësuar shumë të mira raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht kritikave publike që ka marrë qeveria e tij në muajt e fundit nga SHBA-ja.

Siç ka thënë ai marrëdhënia do të thotë edhe marrje edhe dhënie dhe në anën tjetër duhet të jetë një raport me rrugë dy kahore.

“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një aleat i pazëvendësueshëm, e i paçmueshëm, si një partner substancial në të kaluarën, në të ardhmen e sidomos tani në këtë vit të rëndësishëm dhe si një mik të dëshmuar janë shumë të mira, por marrëdhënia do të thotë edhe marrje edhe dhënie dhe në anën tjetër duhet të jetë një raport me rrugë dy kahore. Nëse për të pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme kushti dhe garancia, dhe mundësia është veç serviliteti do t’i kishin pas ata që kanë shkuar jo unë, pse erdhi puna unë të bëhem kryeministër”, ka deklaruar ai.

“Sepse populli i Kosovës po donë marrëdhënie më të thella e më të gjëra, jo me shkëlqye nga serviliteti, por me përfitu nga normaliteti. Populli dëshironte që edhe me partnerët edhe aleatët tanë të mos përfitojmë ne si individ, por të përfitoj shteti edhe ne si individ humbim nga pak”, ka theksuar tutje Kurti.