Kurti: Sot është Dita e Veteranëve, e gjithë atyre që luftuan me armë në dorë, guxim në zemër dhe vullnet në mendje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën e Veteranëve ka kujtuar dëshmorët e rënë për çlirimin e Kosovës. Kurti ka thënë se “Sot është Dita e Veteranëve, e gjithë atyre që luftuan me armë në dorë, guxim në zemër dhe vullnet në mendje, për çlirim e bashkim, për të jetësuar Republikën e Kosovës, bashkë me […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën e Veteranëve ka kujtuar dëshmorët e rënë për çlirimin e Kosovës.
Kurti ka thënë se “Sot është Dita e Veteranëve, e gjithë atyre që luftuan me armë në dorë, guxim në zemër dhe vullnet në mendje, për çlirim e bashkim, për të jetësuar Republikën e Kosovës, bashkë me ne”.
“Kjo ditë përkon me 30 dhjetorin e vitit 1991, kur për herë të parë, policia serbe rrethoi shtëpitë e Shaban Jasharit në Prekaz, në kërkim të të birit të tij Ademit, që sapo ishte kthyer prej Shqipërisë pas stërvitjesh ushtarake. Ajo ditë e hënë e para 31 viteve, për Prekazin nisi në ora 05:15 të mëngjesit, me thirrjet e policisë serbe me megafon: “Dorëzohu Adem Jashari”, ka shtuar kryeministri Kurti.
Tutje Kurti ka theksuar se Ademi, bashkë me vëllezërit e tij Rifatin dhe Hamzën, “e kishin ndarë mendjen me kohë, të luftonin kundër Serbisë pa kushte, deri në liri a vdekje”.
“Luftimet e asaj dite mes policisë serbe dhe familjes Jashari si dhe shokëve që u erdhën në ndihmë, shënon fillimin e një kapitulli të ri, të një dekade rezistence të armatosur që do të përmbyllej më 1999 me çlirimin e Kosovës. Ky aksion policor i Serbisë pushtuese e okupatore në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, rezultoi me 2 persona të plagosur, 14 familje të bastisura dhe 50 të arrestuar, nga të cilët 27 u mbajtën gjithë ditën”, ka shtuar më tej ai.
Kurti ka theksuar se në mesin e tyre ishte dhe Shaban Jashari, që u mbajt 48 orë në Qendrën e Sigurimit në Mitrovicë, i cili sipas tij është rrahur dhe maltretuar.
“Serbia e asaj kohe nuk e dinte dhe as që mund ta ketë parashikuar që Shaban Jashari dhe bijtë e tij, do të vazhdonin të jenë shpirti dhe trupi i asaj lëvizje të armatosur që u quajt Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjer në fund, deri në çlirimin e Kosovës”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.















