Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën e pesë shkurtit ka pritur në takim Dr. Moshe Landsman, bashkëthemeluesin e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.

Ky takim vjen pas ceremonisë solemne të kësaj jave kur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e vlerësoi Dr. Landsman me çmim nderi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e psikologjisë.

“Në një takim miqësor, u diskutua për rëndësinë e punës së Dr. Landsman, i cili përveç në rrafshin akademik ka ndihmuar edhe në ngritjen e qendrave të ndryshme të shëndetit mendor në Kosovë, duke ofruar përkrahje të vazhdueshme profesionale për profesionistët e psikologjisë në vend”,  thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Në njoftim thuhet se Landsman, tashmë i pensionuar, ka lënë pas vetes një karrierë të vlefshme si profesor e psikolog në Izrael që nga vitet 1970-ta, ndërsa lidhja e tij me Kosovën daton që nga paslufta kur ai për herë të parë erdhi të ndihmonte të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Në Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, i pari i pas-luftës në Kosovë, Dr. Landsman ka qenë profesor për shumë vite dhe ka lënë gjurmë në diplomimin e shumë gjeneratave të studentëve të psikologjisë”, vijon njoftimi.

Kryeministri Kurti e ka falënderuar Landsman për kontributin e tij kyç në themelimin dhe zhvillimin e fushës së Psikologjisë e cila ka rëndësi thelbësore për mirëqenien dhe zhvillimin e shoqërisë.

Zëvendësministrja Arsimit, në anën tjetër, si psikologe që ka dalë nga gjenerata e parë e këtij departamenti, foli për modelin inspirues që Dr. Landsman ka lënë sidomos sa i takon kultivimit të angazhimit për të mirën e përgjithshme.