Kurti takohet me Borrell dhe Lajçak në Berlin: Djegia e veturave në veri është krim





Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para Samitit të Berlinit është takuar me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Kurti pati disa fjalë për djegien e veturave me targa të konvertuara nga ato ilegale në ato RKS.

Ai këto veprime i ka quajtur krime të cilat duhet dënuar nga të gjithë.

“Përpara Samitit të sotëm vjetor të Procesit të Berlinit, u takova me Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, për të diskutuar Marrëveshjen Kornizë të përqendruar në njohjen reciproke dhe çështje të tjera”.

“Plaçkitja dhe djegia e veturave në veri të Kosovës është krim dhe duhet dënuar nga të gjithë, ka shkruar Kurti.

Edhe Borrell i ka quajtur të papranueshme veprimet përçarëse, si djegia e makinave të qytetarëve serbë të Kosovës të cilët i kanë regjistruar ato me targa RKS.

Ai ka thënë se marrëveshjet e dialogut Kosovë-Serbi duhet të respektohen.

“Më vjen mirë që takova kryeministrin Albin Kurti përpara Procesit të Berlinit. Diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e makinave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen”, ka shkruar Borrell, teksa shtoi se marrëveshjet e dialogut Kosovë-Serbi duhet të respektohen.

Këto deklarata ai i ka bërë në llogarinë e tij në Twitter, pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Berlin ku do të mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor “të gjithë të veprojnë të përmbajtur”.

“Diskutuam gjithashtu rrugën përpara për normalizimin”, shkroi ai.

Ndryshe, të mërkurën e dy nëntorit, një veturë e tipi Hyndai me targa RKS, është djegur në Zubin Potok.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku thuhet se vetura është e një personi të komunitetit serb.

“Policia e Kosovës, më 02 nëntor, në orën 03.34 (pas mesnate) përmes linjës telefonike ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut”, thuhet në njoftim.

Hiç më larg se në mesnatën e 26 tetorit, një automjet i tipit Volswagen Bora është djegur në Leposaviq. Pos dëmeve materiale, nuk ka të lënduar në njerëz.

Ngjarja thuhet se është ndërlidhur me regjistrimin e automjetit në targa RKS, dhe se i njëjti automjet është djegur me qëllim nga autorë të panjohur.

Por, ky nuk është rasti i vetëm.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 19 shtator kishte njoftuar se një oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale. Të njëjtat i kanë djegur veturën, pasi oficeri në fjalë e kishte regjistruar me targa legale të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të enjten e tre nëntorit janë mysafirë te kancelari gjerman, Olaf Scholz, për t’i dhënë një shtysë përpara Procesit të Berlinit.

Në Berlin ka arritur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

I pari i ekzekutivit do të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, si dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, liderë të dy shteteve, prej nga ka ardhur propozimi shumë i diskutuar në publik për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Në Berlin pritet të konkretizohen me nënshkrime tri marrëveshje.

Njëra nga tri marrëveshjet që pritet të arrihet në këtë samit ka të bëjë me njohjen reciproke të kartave të identitetit.

Tjetra ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale ndërmjet palëve që e nënshkruajnë.

Po ashtu, pritet që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina ta zyrtarizojnë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e të dyja shteteve, me atë të së cilës qytetarët do të mund të udhëtojnë drejt Bosnjës pa pasur nevojë që të pajisen me vizë.

Të gjashtë shtetet, pas një periudhe intensive dialogu, janë dakorduar për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Marrëveshjet pritet të nënshkruhen më 3 nëntor në Samitin e Berlinit. Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve, fillon edhe konkretisht zbatimi i Tregut të Përbashkët Rajonal i cili do të bëjë heqjen graduale të kufizimeve dhe barrierave në katër liritë mes mbi 17 milionë banorëve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kryeziu.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Qëllimet kryesore të këtij procesi janë, përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Ky proces përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ndërsa, shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.





Shija e redaktorit

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

Të fundit nga rubrika