Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Matthias Conrad.

Ndërsa, sipas komunikatës për media nga Qeveria e Kosovës, kryeministri ka shprehur mirënjohjen ndaj përfaqësuesve diplomatikë për mbështetjen e tyre ndaj Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Në takim u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar më 18 mars ndërmjet të dyja shteteve, si dhe për takimin në Bruksel më 2 maj”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

“Sa i përket Marrëveshjes Bazë dhe Planit të Zbatimit, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e tij për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike. Ndërkaq në lidhje me takimin e radhës së nivelit të lartë politik, ai tha se pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara”.

“Ndërkohë që theksoi sjelljet dhe veprimet e njëpasnjëshme të Serbisë, të cilat bien ndesh dhe shkelin Marrëveshjen Bazë, marrëveshje kjo që ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, krahas shteteve tjera anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetje që kryeministri Kurti u kërkoi që të vazhdojnë ta kenë deri në zbatimin e plotë të saj” thuhet në komunikatën e Qeverisë.