Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën, është takuar me Raportuesin Special të Kombeve të Bashkuara, Fabian Savioli, me të cilin, ka diskutuar për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Po ashtu, temë diskutimi sipas komunikatës së Kryeministrisë, ishin nismat për drejtësi tranzicionale.

Kurti ka ritheksuar qëndrimin e tij për nevojën e hapjes së arkivave shtetërore të Serbisë “pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë”.

“Angazhimi i Qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe nismat për drejtësi tranzicionale, ishin tema të takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Fabian Savioli, Raportues Special i Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, reparacioneve dhe garantimit të mospërsëritjes”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, në njoftim thuhet se Savioli shprehu mirënjohjen për bashkëpunim e treguar nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe shprehu solidaritetin me viktimat e popullin e Kosovës.

Kurti, ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për drejtësi në raport me krimet e luftës.

“Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ballafaqim me të kaluarën dhe për drejtësi. Ai tha se na duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat e të mbijetuarat/it, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre”, thuhet në njoftim.

Ai veçoi disa nga nismat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si ajo për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, si dhe fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.