Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim “miqësor” përfaqësuesit e punëtorëve të fabrikës “Ballkani” nga Suhareka, Sali Bytyqi, Elez Haxhiolli dhe Ali Biniqi.

“Në takim, Kryeministri ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gani Krasniqi. Punëtorët e dikurshëm të fabrikës së njohur “Ballkani” falënderuan Kryeministrin për pritjen dhe përkushtimin e Qeverisë ndaj realizimit të së drejtës së punëtorëve për kompensimin financiar që iu takon sipas ligjit me rastin e privatizimit të ndërmarrjes. Po ashtu, ata shprehën indinjatën e thellë lidhur me shitjen e lirë të fabrikës, për vetëm 1.4 milionë, ku janë të përfshirë 17 hektarë tokë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Sipas ZKM-së nga shpronësimi i fabrikës “Ballkani” do të kompensohen 1 mijë e 354 familje.

“Të enjten e kësaj jave, në mbledhjen e 173-të të saj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpronësuar njësinë Damper për nevojat e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, duke treguar kështu edhe rëndësinë e pronës publike e aseteve strategjike për dobi shtetërore. Nga ky shpronësim, të drejtën e tyre ligjore në kompensim do realizojnë 1354 familje” thuhet në komunikatën e ZKM-së.