Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka thënë ambasadorëve të shteteve të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) dhe shefit të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë që është e nevojshme që BE-ja t’i heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit bëhet e ditur se fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Tutje thuhet se qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi për temat aktuale.

“Fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent. Kryeministri deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri gjatë këtij takimi ka theksuar nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, pasi arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.

Met with the QUINT ambassadors today to discuss Kosova's process towards @coe membership. Additionally, I stressed that the EU measures on Kosova must be lifted because the reasons for their imposition – paving the way for early elections in the north – have been resolved. pic.twitter.com/LtP3DLkuZH

— Albin Kurti (@albinkurti) February 23, 2024