Kurti takon Çanakun, flasin për raportet Kosovë-Serbi dhe për gjendjen e pakicës serbe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, pritën në Prishtinë Nenad Çanak, bashkëthemeluesin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës. Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takim u diskutua për zhvillimet në rajon dhe pasojat e agresionit rus në Ukrainë. Në takim u trajtuan edhe raportet Kosovë-Serbi dhe […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, pritën në Prishtinë Nenad Çanak, bashkëthemeluesin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takim u diskutua për zhvillimet në rajon dhe pasojat e agresionit rus në Ukrainë.
Në takim u trajtuan edhe raportet Kosovë-Serbi dhe gjendja e pakicës serbe në Kosovë.
“Millan Çanak, djali i Nenad Çanak, që po ashtu ishte në këtë takim e i cili së fundmi është kthyer nga një mision humanitar në Ukrainë, ndau nga përvoja e tij atje dhe foli për gjendjen në terren, trimërinë dhe moralin e lartë të ushtrisë ukrainase në fushëbetejë dhe për mobilizimin qytetar për rezistencë. Në takim u diskutua edhe për raportet e Kosovës me Serbinë, për historikun, aktualitetin dhe perspektivën e tyre, dhe për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë”, thuhet në njoftimin për medie nga Zyra e Kryeministrit.
Tutje në njoftim, thuhet se kryeministri Kurti ka theksuar se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shpërfaqur qartë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje, përveçse për të drejtat e njeriut dhe mirëqenien e popullatës vendëse.
Kurti ka veçuar rëndësinë që demokratizimi i shoqërive, pluralizmi partiak, sundimi i ligjit, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi rajonal kanë në përballje me këto rreziqe, krahas mbështetjes të vazhdueshme ndaj Ukrainës në luftën e saj çlirimtare – të cilën Republika e Kosovës po e mbështetet fuqishëm me gjithë kapacitetet e saj.
Ndryshe, Nenad Çanak ishte i shoqëruar nga Mitropoli i Kishës Ortodokse të Malit të Zi, Boris Bojoviq. Po ashtu, në takim ishte edhe Mark Baskin, profesor dhe këshilltar i lartë në Qendrën për Dialog Humanitar.















