Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka pritur në takim drejtoreshën e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, kryeministri Kurti e uroi Vashchenkon për detyrën e re dhe i ofroi bashkëpunim të afërt nga ai dhe ministritë e agjencitë e linjës në fushën e rinisë dhe të edukimit.

“Diskutuan për programet dhe bashkëpunimet aktuale në edukimin gjithëpërfshirës, edukimin në fëmijërinë e hershme dhe punën praktike në kuadër të programit “Kosovo Generation Unlimited”, por edhe për mundësitë për të bërë edhe më shumë, sidomos në promovimin dhe zhvillimin e vullnetarizmin te të rinjtë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Gjatë takimit, gjithashtu u veçua rëndësia e përpunimit të të dhënave të mbledhura nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, u mirëprit votimi i Ligjit për Rininë që u miratua javën e kaluar në Kuvend dhe u vlerësua përfshirja e rinisë dhe e kapitalit njerëzor në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe drejtores së UNICEF-it në Kosovë, Vashchenko, shtetase e Ukrainës, e cila u emërua në këtë pozitë në qershor të këtij viti.