Kurti takon ish-drejtuesin e UNMIK-ut dhe ish-presidentin Sejdiu, diskutojnë për dialogun me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka pritur në takim diplomatin gjerman dhe ish-drejtuesin e UNMIK-ut, Joachim Rücker, dhe ish-presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit, temë e diskutimit ishin zhvillimet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet vendi, veçanërisht në kontekstin e dialogut me Serbinë. Kryeministri Kurti, […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka pritur në takim diplomatin gjerman dhe ish-drejtuesin e UNMIK-ut, Joachim Rücker, dhe ish-presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit, temë e diskutimit ishin zhvillimet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet vendi, veçanërisht në kontekstin e dialogut me Serbinë.
Kryeministri Kurti, ndër të tjera, ka theksuar angazhimin e qeverisë për të avancuar në këtë proces, në normalizimin e marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër, duke ruajtur interesat shtetërore dhe duke promovuar stabilitetin e paqen në rajon.
Po ashtu, ish-presidenti Sejdiu e ka informuar kryeministrin për lançimin e autobiografisë së tij të titulluar “Ora e Kosovës”, një vepër që rrëfen përvojat dhe sfidat në udhëheqjen e vendit.
Mes të tjerash, Sejdiu dhe Rücker ndanë me kryeministrin detaje rreth ligjëratës që ata mbajtën në Universitetin e Prishtinës, duke u fokusuar në rëndësinë e arsimit dhe ngritjes së brezave të rinj.
Ndërsa, kryeministri Kurti e ka vlerësuar lart kontributin dhe rolin e Gjermanisë në zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.















