Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim bilateral nga kancelari austriak Christian Stocker, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Vjenë.
Kurti e falënderoi Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që nga vitet ’90, në shtetndërtim, procesin e integrimit evropian dhe kontributin në kuadër të KFOR-it. Ai theksoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës mbetet prioritet kryesor i Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes austriake në këtë proces.
Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ku u theksua nevoja që BE-ja t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat e anëtarësimit.
Palët folën po ashtu për forcimin e marrëdhënieve bilaterale në fushën e ekonomisë, tregtisë, investimeve, energjisë, transformimit digjital, si dhe për rolin e diasporës dhe bashkëpunimin në siguri e mbrojtje.
Kurti e uroi Austrinë për zgjedhjen si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2027–2028. Ndërkohë, ai pranoi urime edhe për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.