Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Në këtë takim sipas njoftimit të Qeverisë, u theksuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, të ndërtuara mbi partneritet të qëndrueshëm, miqësi të sinqertë dhe bashkëpunim të gjithanshëm.
Kryeministri në detyrë Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset e integrimit euro-atlantik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale në kontinentin evropian dhe përtej tij, si dhe në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta demokratike.
Në këtë drejtim, u theksua nevoja për forcimin e aleancave dhe koordinimit politik në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë.