2022-n e përmbyllën me disa akuza ndërmjet vete por këtë vit e nisën me takime.

Kryeministri Albin Kurti, i ka ftuar kryetarët e komunave në takim që zhvilluan jo në ambiente të Qeverisë po në një hotel në kryeqytet.

Nga këtu, Kurti edhe njëherë vuri në pah ndarjen e buxhetit për vitin 2023, që sipas tij është më i larti që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë,  derisa për kryetarët pati edhe një porosi.

“Për vitin 2023 do të jetë mbi 3.2 miliardë euro dhe është buxheti më i lartë ndonjëherë në Kosovën e pavarur. Për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove krahasuar me vitin paraprak, kjo duhet të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së eve komunale karshi qytetarëve tanë, mirëqenies së tyre, edukimit, shëndetësisë, sportit, rinisë dhe kulturës dhe zhvillimit socio-ekonomik. Gjithashtu duhet fokusuar që shpenzimi i këtij buxheti të jetë i hapur, transparent dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve”, ka deklaruar Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.

Në këtë takim, temë të diskutimit u tha të jenë, buxheti, sektori i energjisë, investimet dhe përballja me krizën për çka bashkë me Kurtin,  prezent ishin edhe dy ministrat Artane Rizvanolli e Elbert Krasniqi.

Por, kur erdhi koha për debat, mediat i larguan nga salla.

Pas diskutimit tri orësh e me dyer të mbyllura, ata që u ftuan nga kryeministri, treguan çka kërkuan nga i pari i ekzekutivit.

“Secili kryetarë I paraqiti nevojat e veta për rritje të buxhetit për investim kapitale. Vlerësoj se bashkëpunimi duhet të jetë prioritet pasi shteti ka një Qeveri që duhet të reflektojë deri në Komuna”, ka theksuar Ferit Idrizi- Kryetar i Komunës së Vushtrrisë.

“Kërkova lirimin e  disa pronave, kemi fushën e sportit që si plotëson kushtet, nuk kemi vend për zjarrfikës dhe këto ishin disa kërkesa në interes të qytetarëve dhe jo të kryetarit të Komunës. Kërkuam  projektet tona që duhet të vazhdojnë. Kërkuam ndihmë edhe për një zonë ekonomik. Nuk morëm përgjigje në fund pasi të gjithë parashtruan kërkesat e veta”, ka sqaruar Bali Muharremaj-Kryetari i Komunës së Suharekës

Ky ishte takimi i tretë që kryeministri Albin Kurti po zhvillon me kryetarët e komunave që nga marrja e detyrës.