Kurti thotë se duhet të shtohet numri i trupave të KFOR-it
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për të përditshmen gjermane Welt, ka thënë se Kosova për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia, duhet ta rrisë ndjeshëm numrin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë, për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë. “Kjo patjetër do të përmirësonte sigurinë tonë. Përveç kësaj, trupat e […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për të përditshmen gjermane Welt, ka thënë se Kosova për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia, duhet ta rrisë ndjeshëm numrin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë, për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë.
“Kjo patjetër do të përmirësonte sigurinë tonë. Përveç kësaj, trupat e KFOR-it mund të na ndihmojnë për të zgjeruar më tej strukturat dhe kapacitetet tona të sigurisë”, ka deklaruar Kurti.
Tutje, ai ka vijuar duke përmendur edhe bashkëpunimin që Serbia ka me Rusinë në politikën ushtarake, teksa shtoi se rreth Kosovës janë 48 baza ushtarake serbe.
“Rusia dhe Serbia punojnë ngushtë së bashku në politikën ushtarake, ata ndërmorën, gjithsej, 104 manovra dhe aktivitete së bashku në vitin 2021, disa prej të cilave përfshinin forcat e armatosura bjelloruse”, ka thënë ai.
Ndërsa, sa i përket pjesës se kur do të anëtarësohet Kosova në Bashkimin Evropian(BE), Kurti ka bërë të ditur se Kosova do të aplikojë për t’u bërë kandidat për anëtarësim në BE këtë vjesht ose dimër, por jo më vonë se krishtlindjet e këtij viti.
Shefi i ekzekutivit ka thënë po ashtu se Kosova është vendi më prodemokratik dhe më properëndimor në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa në sfidat e Kosovës, ai përmendi edhe nevojën për investime të huaja.
“Së pari, ne kemi nevojë për investime të huaja direkte dhe vende të reja pune, veçanërisht për të rinjtë”.
Ai i ka ftuar të gjitha kompanitë evropiane që të investojnë në Kosovë.
“Kemi parqe teknologjike si në Prizren, rritje të lartë të eksporteve dhe një fuqi punëtore të re dhe të trajnuar mirë”.
Ai ka folur edhe për situatën e fundit në veri të vendit, për të cilën i ka fajësuar strukturat ilegale serbe, ndërsa për shtyerjen e vendimit për reciprocitet edhe njëherë e ka ritheksuar se ka qenë në koordinim të plotë me ndërkombëtarët.















