Kurti thotë se në veri mund t’i konsiderojë zgjedhjet e jashtëzakonshme nëse ndalet dhuna
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i përgatitur të marrë në konsideratë zgjedhjet e parakohshme në komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe, nëse protestuesit nuk shfaqin dhunë. Në një diskutim për të ardhmen e Kosovës në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë, shefi i ekzekutivit ka thënë se […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i përgatitur të marrë në konsideratë zgjedhjet e parakohshme në komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe, nëse protestuesit nuk shfaqin dhunë.
Në një diskutim për të ardhmen e Kosovës në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë, shefi i ekzekutivit ka thënë se nëse serbët duan të kenë protesta paqësore, atëherë e kanë një kryeministër që është i gatshëm t’i dëgjojë për kërkesat e tyre, edhe për zgjedhje të parakohshme.
“Nëse do të kishte protestë paqësore për zgjedhje të parakohshme, do të kishte mirëkuptimin tim, por jo turmat me shkronjën Z [një simbol prorus] që qëllojnë kundër ushtarëve dhe policëve, hedhin granata, duke bërtitur ‘vrit, vrit’. Kësaj turme fashiste, ne nuk ia dorëzojmë Republikën tonë demokratike. Nëse duan protesta paqësore që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, ata kanë një kryeministër që është më se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta pajtohet me ta”, tha Kurti.
The Guardian shkruan se disa burime britanike shprehën shqetësimin se SHBA dhe BE po bëjnë një gabim duke kërcënuar Kosovën me ndëshkim në lidhje me situatën e tensionuar në veri të vendit.
Sipas gazetës britanike “një ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar tha se i dërguari i BE-së në Kosovë duhet të qëndrojë mënjanë, ndërsa kryetarja e komisionit për punët e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, paralajmëroi SHBA-në kundër ndëshkimit disproporcional të Kurtit”.
SHBA dhe BE e kanë qortuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, duke thënë se përdorimi i forcës për të vendosur kryebashkiakë në zonat etnike serbe të Kosovës, minoi përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet e trazuara dypalëshe.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha: “Do të habitesha nëse ndonjë zyrtar i qeverisë kosovare do të mund ta vizitonte SHBA-në në këtë kohë”.
Por, Kearns tregoi dallime mes qëndrimeve të SHBA-së dhe asaj zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar, duke shkruar: “Qëndrimi që po merret ndaj Kosovës është joproporcional. Mungesa e parandalimit ndaj Beogradit tregon mungesë ekuilibri dhe moskoherencë strategjike. Dështimi për të penguar milicinë e armatosur dhe financuesit dhe blinduesit e tyre rrezikon të inkurajojë përshkallëzimin e mëtejshëm.” Ajo tha se Kosova duhet të lejohet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës .















