Kurti thotë se refuzoi kushtëzimet e reja të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel, ka bërë të ditur se ka refuzuar të pranojë një propozim, që, sipas tij, është kushtëzim i Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ai nuk është i gatshëm të pranojë kushtëzimet e reja të paraqitura nga Serbia në përpjekjet për dialogun Kosovë-Serbi.

“Kam propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Nuk ka mundur të ketë kompromis me një propozim me sekuencë dhe një kushtëzim të vjetër. Kur unë kërkova që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia se mu tha se ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje ta sjellin. Kushtëzim i Serbisë se njëherë duhet të zbatohet Asociacioni dhe pastaj eventualisht mund të kalojmë në zbatimin e marrëveshjes bazë”, ka deklaruar ai për “propozimin për kompromis”.

Kurti ka thënë se neni 10 i Marrëveshjes Bazike e bën të qartë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, dhe nuk mund të pranohet një kusht i vetëm që është i lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai, gjithashtu, ka shprehur keqardhje për faktin që emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka pranuar këto kushtëzime të Serbisë, gjë që, sipas tij, ka cenuar funksionin e tij si lehtësues dhe ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk është marrëveshja e vitit 2013, qartë neni 10 i marrëveshjes bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel të cilat janë të obligueshëm dhe valide, janë 39 sosh gjithsej, por nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë, si “qerrja para kuajve” dhe të bëhet edhe thelb edhe parakusht, pra, një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar. Është për të ardhur keq që Lajçak ka pranuar një kushtëzim të tillë, dhe kushtëzimin që e ka pranuar nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues edhe ndërmjetësues, por unë nuk do ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar asisoj Kosovën, kryeministër i së cilës jam”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se propozimi i Serbisë, i dorëzuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, është të paktën gjashtë muaj i vjetër.

“Pra, edhe ky dokument tjetër që është më i vjetër që 6 muaj, që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë, që njëherë Asociacioni e pastaj shohim, gjithashtu e kemi tani në dorë dhe nuk kemi qenë në dijeni që ekziston diçka e tillë. Nuk mund të quhet propozim, sepse kur ta lexoni përmbajtjen është kushtëzim”, është shprehur kryeministri Kurti.

“Ndërkaq, ne kemi bërë një propozim, është për të ardhur keq sesi kur jam konstruktiv dhe kur bëj propozime shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu”, ka deklaruar tutje ai.

Kurti ka shtuar se Kosova është gati për dialog, por nuk do të pranojë kushtëzime që shkelin marrëveshjet ekzistuese.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se është i gatshëm për bisedime të hapura, për të arritur një marrëveshje që do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin në rajon.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika