Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë kishte konstatuar se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti me rastin e kësaj date tha se GJND-ja e vulosi në mënyrë të pakthyeshme ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

“14 vite më parë, bazuar në një kërkesë për mendim këshilldhënës të parashtruar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e vulosi në mënyrë të pakthyeshme ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Në 123 paragrafë të përmbledhur në 54 faqe vendim, Gjykata e arsyetoi gjerësisht se si Deklarata e Pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 nuk shkelte asnjë normë të përgjithshme a speciale të së drejtës ndërkombëtare dhe se shkëputja e Kosovës nga shteti pararendës përbënte tashmë një fakt të parevokueshëm”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, vendimi i GJND-së e ndryshoi rrjedhën e dëmshme për popullin shqiptar që nga viti 1912.

Por, sipas tij, ky vendim nuk u përdor sa duhet nga pushtetet e kaluara për ta “përmbysur e eliminuar strategjinë e Serbisë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës përmes kornizës së dikurshme të Dialogut të Brukselit”

“Ky mendim këshilldhënës gjithashtu e ndryshoi të paktën formalisht rrjedhën e dëmshme për popullin shqiptar, meqenëse okupimi i Kosovës më 1912, mandej kolonizimi, diskriminimi e deri te gjenocidi në vitet 1998 e 1999, janë krime për të cilat asnjëherë nuk pati drejtësi ndërkombëtare e zhdëmtim për popullin e Kosovës. Është për të ardhur keq që në dekadën e kaluar ky mendim i GjND-së më së shumti u përmend te fusnota që iu mbivendos emërtimit të Kosovës, e nuk u përdor mjaftueshëm për ta përmbysur e eliminuar strategjinë e Serbisë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës përmes kornizës së dikurshme të Dialogut të Brukselit”, tha ai.

Mendimi i GJND-së, sipas Kurtit, është rast i rrallë dhe interpretim i bindshëm për të drejtën e një populli të shtypur për të ekzistuar si shtet i pavarur.

“Mendimi Këshilldhënës i GjND-së përbën një rast të rrallë ku Gjykata mbështet pa asnjë dyshim e me një interpretim thellësisht të bindshëm lindjen e të drejtës së një populli të shtypur e të kolonizuar për dekada me radhë nga një pushtet shovinist, kriminal e gjenocidbërës, për të qenë dhe ekzistuar si shtet i pavarur e i ligjshëm në të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

“Ndikimi i Mendimit Këshilldhënës të GjND-së ishte dhe vazhdon të jetë i madh. Ajo përbën një fakt konstitutiv, të pakontestuar, të argumentit se qenia dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës ka qenë dhe do jetë e drejtë. Juristë eminentë e referencojnë atë pafundësisht në literaturën moderne, kurse studentët e drejtësisë e mësojnë atë si një nga aktgjykimet më përmbajtësore që vendosi bazat e normave që rregullojnë lindjen e shtetit të ri në një kontekst postgjenocidal e postkolonial bashkëkohor”, vijoi Kurti.

Tutje, Kurti tha se Serbia ende vazhdon të tentojë minimizimin e peshës së mendimit Këshilldhënës të GJND-së.

“Tendencat e Serbisë për të minimizuar peshën e Mendimit Këshillëdhënës të GjND-së, përfshirë moszbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së në marrëdhëniet e saj me Kosovës që janë pjesë thelbësore e Marrëveshjes Bazike, do të mbeten vepra të një shteti që tenton në keqbesim rehabilitimin e dështuar të saj në bashkësinë e kombeve të civilizuara pasi ushtroi gjenocid në territorin e tre shteteve të sotshme dhe vazhdon në mënyrë institucionale ta mohojë atë”, tha ai.