Kurti thotë se “Zajednica nuk kalon”, opozita kundërpërgjigjet
“Për ta përmbyllur këtë çështjen e Asociacionit apo Zajdenicës, ‘Zajednica’ ka kaluar këtu në Kuvend. ‘Zajednica’ nuk kalon. Nuk ka kaluar në Gjykatë. Nuk ka kaluar në popull. ‘Zajednica’ nuk kalon as në Kryeminstri e as në Qeveri. Por, këtu te ju po”. Si jo rrallëherë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e tij […]
“Për ta përmbyllur këtë çështjen e Asociacionit apo Zajdenicës, ‘Zajednica’ ka kaluar këtu në Kuvend. ‘Zajednica’ nuk kalon. Nuk ka kaluar në Gjykatë. Nuk ka kaluar në popull. ‘Zajednica’ nuk kalon as në Kryeminstri e as në Qeveri. Por, këtu te ju po”.
Si jo rrallëherë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e tij në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila zgjati deri në orët e hershme të së premtes.
Këtë fjalë të tijën, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quajti “përallë”. I njëjti tha se ndonëse kreu i ekzekutivit kërkonte njohjen reciproke në qendër të diskutimeve me Serbinë, përfundoi me neutralitet.
“Sapo dëgjuam një përrallë se Kurti s’ka ndryshuar. S’ka ndryshuar njeriu që ka kërkuar ‘jo negociata, por vetëvendosje’. Nuk ka ndryshuar njeriu që ka kërkuar kërkim falje para dialogut. Ai që ka kërkuar ballafaqime me të kaluarën e që ka përfunduar në tejkalim të historisë. Ai që ka kërkuar njohjen në qendër e ka përfunduar me neutralitet. Njeriu që pati gjashtë kushte e përfundoi me asnjë”, ka thënë Abdixhiku.
Ndonëse, akuzat se qëndrimet e Kurtit kanë ndryshuar, vinin njëra pas tjetrës, Kurti tha se ndryshimi i vetëm evident ishin deklarimet e deputetëve të opozitës.
“Pra, bëhet fjalë për deputetë që e kanë votuar Zajednicën më 2013, por tash më kritikojnë mua sepse këta kanë ndryshuar deklarativisht. Unë s’kam ndryshuar përmbajtësisht. Edhe ky ndryshim i përjetuar deklarativisht, është rezultat i VV-së. Pa VV-në s’do ta kishim as këtë. S’kam ndryshuar unë, por sytë e juaj. Ju po këqyrni ndryshe tash”, ka thënë Kurti.















