Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për afatin e zgjedhjes së presidentit e ka krijuar, sipas tij, një situatë urgjente për veprim.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit, por sipas tij, ajo marrëveshje është shkelur nga gjashtë deputetë të LDK-së, njofton Dukagjini.
Ai u bëri thirrje subjekteve politike që të ulen dhe të diskutojnë për një marrëveshje të re, duke theksuar se kanë mbetur edhe gjashtë ditë për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re.
Sipas tij, dështimi për të zgjedhur presidentin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja, të cilat, siç tha ai, nuk do ta zgjidhnin domosdoshmërisht çështjen e presidentit.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cili prodhoi një normë të re kushtetuese lidhur me rrjedhjen e afatit për zgjedhjen e presidentit na vë përpara një situate urgjente për veprim. Ne kemi një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por e dimë që ajo u shkel e u braktis nga gjashtë deputetë të saj përkundër që ajo e kishte bekimin e Kryesisë së partisë të tyre. Para nesh pos sot kemi edhe 6 ditë të plota për t’i dhënë vendit President a Presidente të re përveç arritjes së një marrëveshje të re edhe zgjedhja e Presidentit është e mundshme rrjedhimisht prape zgjedhje të reja të panevojshme e të kushtueshme me pasoja të rënda që gjithsesi janë të shmangshme. Andaj le të ulemi bashkë dhe zgjedhjet e reja që do të shkaktoheshin nga pamundësia e zgjedhjes së presidentit sërish nuk do të ishin zgjedhje për president ato përveç se pa Kuvend edhe njëherë kësaj here do të na linin edhe me paqartësi edhe për çështjen e Presidentit ndërsa me Qeveri në detyrë”, u shpreh Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Tutje, Kurti u shpreh se nuk ka nevojë që të shkojmë pa numër herë në zgjedhje vetëm për të arritur në pikën e njëjtë teksa shtoi se vendit më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional.