Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, ka ftuar të mërkurën për një takim informues ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, qëllimi i takimit ishte të diskutohet situata e sigurisë në veri të vendit pas agresionit serb të djeshëm ndaj Republikës së Kosovës.

Kurti gjatë takimit i ka njoftuar ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, e cila u zhvillua në mëngjesin e së enjtes.

Ai gjithashtu ka ndarë me ta masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë dhe u ka ofruar dëshmi që dokumentojnë se kidnapimi i tre policëve kosovarë ishte një agresion i Serbisë ndaj Kosovës.

Kurti gjatë takimit thuhet se ka ritheksuar se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës ka ndodhur thellë në territorin e Kosovës.

Kryeministri ka theksuar se ky akt është shkelje e kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Ndër të tjera, ai ka bërë thirrje për reagime urgjente dhe dënuese nga faktorët ndërkombëtarë në lidhje me këtë akt agresioni ndaj Kosovës.

Po ashtu, kryeministri Kurti ka përsëritur kërkesën e tij për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer.