Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka udhëtuar në Gjermani, për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë, PES Congress 2022.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, përveç kryeministrit Kurtit, në këtë Kongres do të marrin pjesë edhe krerët e shteteve të tjera evropiane.

“I organizuar me mbështetjen e SPD-së gjermane, ky kongres do të mirëpresë krerë të shteteve dhe qeverive, komisionerë evropianë, udhëheqës të partive dhe përfaqësues të tjerë”, thuhet në komunikatë.

Në Berlin, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, pritet të diskutohet ndër të tjera për rritjen e çmimeve të energjisë, inflacionin si dhe krizën e shkaktuar nga Covid-19.

“Me moton ‘Me guxim. Për Evropën’ do të diskutohet për politikat, për të adresuar ndryshimet e thella në sigurinë ndërkombëtare, rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionin, krizën e shkaktuar nga Covid, ndryshimet klimatike dhe sfidat sociale”, thuhet në komunikatë.