Kurti udhëton në Shkup – merr pjesë në darkën me liderët e Ballkanit, nesër në panelin me komisionaren Kos
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, udhëton sonte drejt Shkupit, ku do të marrë pjesë në një darkë pune me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut. Qeveria e Kosovës në detyrë ka konfirmuar për Dukagjinin se Kurti do të jetë pjesë e këtij takimi, ndërsa […]
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, udhëton sonte drejt Shkupit, ku do të marrë pjesë në një darkë pune me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Qeveria e Kosovës në detyrë ka konfirmuar për Dukagjinin se Kurti do të jetë pjesë e këtij takimi, ndërsa nesër do të marrë pjesë edhe në panelin e parë të diskutimit, ku fokusi do të jetë Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, do të zhvillojë takime dyditore me udhëheqësit e rajonit për të diskutuar hapat konkretë drejt përshpejtimit të reformave dhe ndarjes së fondeve nga ky plan.
Sipas Komisionit Evropian, deri më tani të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, kanë përfituar fondet e para nga faza e para-financimit.
Takimi në Shkup do të shërbejë edhe si platformë për të shqyrtuar fusha të reja bashkëpunimi si mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt integrimit të plotë ekonomik të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së.
Po ashtu, Komisioni do të propozojë një paketë investimesh me vlerë 87.7 milionë euro, që pritet të tërheqë afro gjysmë miliardi euro investime private në sektorin e energjisë së pastër në të gjithë rajonin.















