Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti për në Mbretërinë e Bashkuar ka udhëtuar së bashku me ministrin e Financave, Hkuran Murati, derisa pritet të marrin pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024.

“Ai, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024 të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, të premten e 23 shkurtit Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka njoftuar se do të organizojë Samitin e Ballkanit Perëndimor për vitin 2024 në Londër.

Sipas një komunikate nga BERZH, Samiti do të mbahet të hënën më 26.02.2024.

“Ngjarja do t’i bëjë bashkë 6 kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe investitorët ndërkombëtarë me qëllim për të nxjerrë në pah investimet potenciale dhe mundësit biznesore në regjion, dhe të promovohen projektet rajonale ndërkufitare”, thuhet në komunikatën e BERZH-it.

Tutje, BERZH ka bërë të ditur se në këtë ngjarje do të ketë një sesion interaktiv të kryeministrave, të cilin e konsideron si pikë kryesore.

“Meqenëse promovimi i tranzicionit të gjelbër është prioriteti kyç i Bankës në regjion, do të ketë një panel të veçantë sa i përket energjisë së gjelbër në Ballkanin Perëndimor, i cili do t’i bëjë bashkë investitorët dhe politikëbërësit kryesorë në nivel ministror për një diskutim në lidhje me maksimizimin e mobilizimit të kapitalit privat për të përshpejtuar dekarbonizimin e regjionit”, ka njoftuar BERZH.