Kurti uron 15-vjetorin e pavarësisë, kujton fjalët e Nënë Terezës, Shote Galicës e Tringë Smajlit

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një seancë solemne për nder të shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti duke u uruar qytetarëve festën, ka thënë se ajo është shembull demokratik në rajonin problematik

Qeveria e Kosovës me seancë solemne për nder të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2023.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në këtë festë të 15-vjetorit të pavarësisë, detyra kryesore e Qeverisë së Kosovës është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar e shumëfishuar arsyet që të rejat e të rinjtë tanë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë, e për një jetë më të mirë.

“Të dashur qytetarë kjo është festa juaj, Kosova është një shembull i demokracisë në këtë rajon problematik si Ballkani, vetëm si meritë e juaja. Jeni ju ata që nuk keni lejuar dhe nuk do të lejoni që në Kosovë të mbetet i padënuar abuzimi me pushtetin, prandaj jeni ju që meritoni urimin dhe njëkohësisht edhe falënderimin e përzemërt për 15-vjetorin e kësaj pavarësie”, është shprehur Kurti.

I pari i ekzekutivit gjatë fjalimit të tij ka deklaruar se në vende të tjera institucionet japin model dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, por sipas tij në Kosovë modelin e japin qytetarët dhe institucionet janë ato që duhet të bëjnë përpjekje për të ecur pas tyre.

Ndër të tjera, ai ka thënë se pavarësia jonë është rezultat i historisë shekullore të Kosovës, si një vend ku gjithmonë kanë jetuar krah për krah me shumicën shqiptare dhe në bashkëpunim me të komunitet e feve dhe gjuhëve të ndryshme.

“Ne e dimë mirë se çfarë është bashkëjetesa, madje kemi histori të gjatë bashkëjetesë të suksesshme, të cilën e kanë dëmtuar vetëm ata që duan të dominojnë, të sundojnë, t’i mbivendosin vullnetit të shumicës për pavarësi”, ka thënë kreu i Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu, Kurti ka thënë se në këtë 15-vjetor të pavarësisë duhet të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë, e që sipas tij kjo është për të drejtat që Kosova ua jep pakicave etnike.

“Askund në Evropë minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel sikur te ne. Na përket neve që të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet me formula eksperimentuese, të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”, është shprehur Kurti.

Qeveria e Kosovës me seancë solemne për nder të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2023.

Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur në rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka uruar qytetarët për këtë festë.

Ai ka thënë se Kosova me dhimbje e ka ndërtuar këtë ditë në të cilën vendi është sot.

Ndërsa, ka falënderuar ata që kanë kontribuuar për çlirim të vendit.

“Kosova nuk është produkt i rastësisë, por i historisë së vet, shekuj dhimbjesh që sot të kemi këtë gëzim”.

“Edhe një herë, urime 15-vjetori, i falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuuar për çlirimin e vendit dhe për shpalljen e pavarësisë”, u shpreh Kurti.

Derisa po uronte qytetarët, kryeministri Kurti në fund përmendi thëniet e tri grave më të njohura të kombit shqiptar.

Ishte thënia e luftëtares shqiptare kaçake, e cila ka qenë e shpallur heroinë e popullit, Shote Galica, të cilën e citoi kryeministri Kurti.

“Shotë Galica thoshte: Një jetë pa dije është si një luftë pa armë. Detyra juaj është që Kosovën të mos e lini pa njërën e as pa tjetrën”, tha kryeministri Kurti.

Më pas, Kurti theks i ka dhënë një thënieje të luftëtares shqiptare e cila ka luftuar kundër Perandorisë Osmane, Tringë Smajli.

“Tringë Smajli thoshte: Mos ia drejtoni armët njëri- tjetrit, por vetëm armikut të përbashkët. Mbajeni parasysh këtë për ditë, që të mos e ngatërrojmë debatin e brendshëm me polarizimet e përçarjet me njëri-tjetrin”, ka vijuar Kurti.

Ai, gjithashtu, ka bërë thirrje që të mos harrohen fjalët e humanistes shqiptare, fitueses së çmimit Nobel për Paqe, Nënës Terezë.

“Së fundi mos e harroni që Nëna Terezë thoshte: Paqja fillon me një buzëqeshje. Le të jemi ne ata që buzëqeshim e që e mbajmë të hapur derën e bashkëbisedimit. Kosova është projekt i paqes, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe”, ka vijuar Kurti.

Ndërsa, fjalimin e tij urues ai e mbylli me fjalinë “Republikë për 15 vjet, Republikë për jetë”.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika