Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar qytetarët e Amerikës për 246 vjetorin e pavarësisë.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i Qeverisë, e ka lidhur këtë urim me situatën në Ukrainë, duke thënë se “autokracia e Putinit po i sulmon vlerat demokratike”.

“Lufta në Ukrainë, e cila sot po e tërheq vëmendjen e botës, nuk është, sigurisht, një luftë civile: Kërcënimi për qeverinë e lirë, në këtë rast, nuk vjen nga brenda vendit, por nga jashtë tij. Por, njëjtë sikurse përpjekja e pavend e Jugut Amerikan për shkëputje në 1861, pushtimi i pajustifikuar i Federatës Ruse në Ukrainë në 2022, gjithashtu mbart implikime të jashtëzakonshme për të ardhmen e qeverisjes demokratike”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, për t’i kuptuar këto implikime, duhet t’i drejtohemi një dijetari të madh, veprën e të cilit Lincoln ka shumë gjasë ta ketë lexuar, filozofit gjerman Immanuel Kant.

“Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën. Dhe po ashtu, po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq serioz për paqen në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e rëndësishme të presidentit Biden për të promovuar vlerat demokratike në mbarë botën, mund të kuptohen njëkohësisht si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve”, ka shtuar ai.

Sipas Kurtit, me gjithë shpresën e Putinit për të nxitur një kapitullim të shpejtë nga ana e Ukrainës, blitzkrieg-u i Rusisë ka dështuar në mënyrë spektakolare.

Ai ka thënë ndër të tjera se Putini është përgatitur për një luftë të gjatë shkatërruese ndaj Ukrainës dhe po llogarit në një dimër të ashpër për t’iu shkaktuar vuajtje maksimale shteteve evropiane të varura prej gazit rus.

Postimin e tij, Kurti e ka përmbyllur duke uruar katër korrikun për amerikanët dhe duke uruar që lufta në Ukrainë, të triumfojë me fitore ndaj agresionit rus.

“Këtë 4 korrik, pra, kur po e festojmë demokracinë, le të kujtojmë, bashkë me Lincoln, se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë. Le të zotohemi, pra, se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, me çdo kusht, për të siguruar që demokracia e Ukrainës do të dalë fitimtare ndaj autokracisë së Rusisë”, ka përfunduar Kurti.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hënën e katër korrikut, festojnë Ditën e Pavarësisë.

Për nder të kësaj dite, do të organizohen aktivitete të ndryshme në Kosovë, nga shoqata “Miqtë e Amerikës”.

246 vjet që nga revolucioni rrënjësor amerikan