Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar ekipin realizues të filmit shqiptar “Shame and Money” të regjisorit Visar Morina, pas fitimit të Çmimit të Madh të Jurisë në seksionin ndërkombëtar – dramë (World Cinema Grand Jury – Dramatic) në Festivalin prestigjioz të filmit Sundance.

Kurti e cilësoi këtë sukses si një nisje të shkëlqyer të vitit për kinematografinë shqiptare, njofton Dukagjini.

“Ky vit nisi edhe më mirë se mbarë për kinematografinë tonë. Filmi “Shame and Money” (Shabani dhe Hatixhja) i regjisorit Visar Morina ka fituar Çmimin e madh të Jurisë, Seksioni Ndërkombëtar-Dramë (World Cinema Grand Jury Prize: Dramatic) në Sundance Film Festival. Ky është çmimi më prestigjioz për filmat ndërkombëtarë në festivalin më të njohur në botë për kinemanë e pavarur. Filmat “Babai” dhe “Exil” të Visar Morinës i kam parë. Mezi pres ta shoh edhe këtë të tretin. Urimet më të përzemërta ekipit realizues!”, ka shkruar Kurti.

Filmi shqiptar ‘Shame and Money’ merr çmim në Sundance