Kurti uron Policinë e Kosovës: Bashkë ndajmë sfida e suksese, do ta forcojmë edhe më shumë shtetin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 24-vjetorit të themelimit të policisë u ka uruar të gjithë zyrtarëve policorë janë në krye të detyrës në çdo cep të Kosovës duke u premtuar se do të ndajnë së bashku sfida e suksese dhe të ngrenë e forcojnë edhe më shumë shtetin. Përmes një postimi në […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 24-vjetorit të themelimit të policisë u ka uruar të gjithë zyrtarëve policorë janë në krye të detyrës në çdo cep të Kosovës duke u premtuar se do të ndajnë së bashku sfida e suksese dhe të ngrenë e forcojnë edhe më shumë shtetin.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se “24 vite në shërbim dhe në mbrojtje” është motoja e këtij përvjetori, e cila më së miri përfaqëson Policinë e Kosovës.
“Që nga gjenerata e parë policore kur filloi trajnimin me 6 shtator 1999, Policia jonë shërbeu për të gjithë qytetarët tanë duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre e duke ruajtur sovranitetin e vendit tonë. Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cënon sigurinë e vendit tonë e të qytetarëve tanë dhe jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policor të përkushtuar e profesional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës” ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se deri më tani, falë përkushtimit të policisë janë mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substancë narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, suksese të cilat sipas tij “Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë ndërsa Kosoën e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit”.
Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) ka filluar punën më 6 shtator të vitit 1999, ndërsa tani po shënon 24-vjetorin e themelimit të saj.
Misioni i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), ishte përkujdesur që në Kosovë, në pajtim me rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ta hapë Shkollën e Policisë, ku edhe ka filluar trajnimin e kadetëve të parë.
Gjenerata e parë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kishte, gjithsejt, 176 pjesëtarë, të cilët pas trajnimit i shërbyen vendit si policët e parë në territorin e Kosovës.
Ata zhvillonin patrullime të përbashkëta me policinë e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), të cilëve edhe u përgjigjeshin, dhe me ushtarët e NATO-s në Kosovë.















