Kurti: Vepra e Rexhep Qosjes do të jetojë përtej shekullit të tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me një mesazh pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar veprën e tij si të përjetshme dhe me ndikim të vazhdueshëm për brezat e ardhshëm.

Në një shkrim në Facebook, Kurti theksoi se megjithëse Qosja u nda nga jeta, krijimtaria e tij nis një dimension të ri ekzistence, duke jetuar tashmë përtej autorit.

“Ngushëllimi na vjen prej jetës së tillë

Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin.
Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes.

Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave.

Natyrisht që askush nuk do të mund të thotë që ky apo ai shkrimtar a veprimtar ishte rilindasi ynë i fundit. Por sigurisht që të gjithë duhet ta themi që askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja.

Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur.
Shkruante edhe për shkak se kishte lexuar shumë. Shkruante shumë sidomos për shkak se kishte çfarë të thoshte. Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve e kanë për autorë vetë atë, në bibliotekën e secilit prej nesh.

Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij.

Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur.

Dy muaj pa i mbushur nëntë dekada që ia kanë vlejtur fort për shqiptarët mbarë. U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra”, ka shkruar Kurti.

Shija e redaktorit

Kosova shteti i parë në Ballkan me angazhime të pranuara...

Republika e Kosovës është bërë shteti i parë nga Ballkani dhe i shtati në botë që i janë pranuar angazhimet në Kartën Globale për...

Haxhiu autorizon dërgimin e FSK-së në operacionin paqeruajtës në Gaza

Pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është autorizuar dërgimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një operacion ndërkombëtar paqeruajtës në...

Bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë, vlerë e trashëguar ndër shekuj

Bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë vlerësohet si një vlerë e trashëguar ndër shekuj dhe thelbësore për të ardhmen e vendit, ndërsa dialogu, respekti i ndërsjellë...

Të fundit nga rubrika