Akoma është duke u diskutuar vizita e tij para një jave në Bruksel dhe takimi që pati atje me Serbinë, por Albin Kurti mori rrugë për diku tjetër.

Një ditë më parë kryeministri, ateroi në Zvicër bashkë me ministrin e Kulturës Hajrulla Ceku.

Ani pse atje u prit në takim nga presidenti i Konfederatës zvicerane, Alain Berset, shefi i Qeverisë nuk ka takuar vetëm politikanë zviceranë.

Kurti një bashkëbisedim e pati edhe me kandidatët shqiptarë për deputetë në Zvicër.

Por për atë që u kritikua edhe më herët, duket se ka hapur rrugë për kritika të sërishme.

Kryeministri sot u lajmërua nga një aktivitet i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës krah bashkëkryesuesit zviceran të kësaj partie, ku foli para diasporës shqiptare, e cila është mjaft e rëndësishme për partitë politike zvicerane të cilat garojnë për zgjedhjet nacionale muajin e ardhshëm.

Vizitën e Kurtit e përcjell me vëmendje lobisti shqiptar në Zvicër, Binak Sylaj, i cili është edhe kryetar i një nëndege të LDK-së atje.

Sylaj thotë se Kurti e ka derën hapur sa i përket avancimit të marrëdhënieve bilaterale me shtetin e Zvicrës, por jo për të tjera çështje.

“Si kryeministër i Kosovës e ka derën hapur për shkak se çdo marrëveshje që është bërë mes shtetit të Kosovës dhe Zvicrës është bilaterale. Nëse e shohim që ai si kryeministër ka ardhë në Zvicër që ta mbështes Z. Qedriq është e gabuar për mendimin tim, se si kryeministër i Kosovës nuk mund të shkosh të bësh lobime në shtete të tjera për një subjekt të caktuar”, ka thënë Binak Sylaj – Kryetar nëndege i LDK-së në Zvicër.

Për vizitën e Kurtit, Dukagjini ka pyetur edhe kryetarin e degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka por ai nuk ka dashur të deklarohet.

Por për njohësin e diplomacisë dhe politikës së jashtme, Visar Xani e vetmja arsye pse Kurti duhet ta vizitojë këtë shtet është avancimi i interesave të shtetit.

“Fillimisht duhet të shërbejë për të avancuar interesat diplomatike të Kosovës, për të ndërtuar një strategji me aleatët siç është në këtë rast Zvicra një shtet mik, por në asnjë mënyrë për të pasur ndikim në zgjedhjet që mbahen atje. Patjetër që takimet me mërgatën shqiptare, janë të mirëseardhura dhe takimet zyrtare, me përfaqësues të shtetit zviceran. Ndërsa çdo tendencë tjetër apo qëllim, konsideroj që e bëjnë një vizitë pa vend”, ka deklaruar Visar Xani Njohës i Diplomacisë.

Në zgjedhjet federale të 22 tetorit në Zvicër janë 30 kandidatë shqiptarë nga pothuajse secila parti politike që garojnë për ulëse në Këshillin Kombëtar.

Ky është numri më i madh i kandidatëve shqiptarë në ndonjë palë zgjedhjesh atje.