Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se krijimi i Xhandarmërisë është i domosdoshëm për të adresuar sfidat aktuale të sigurisë dhe për të plotësuar boshllëkun mes Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Kurti deklaroi se situata e sigurisë po ndryshon me ritëm të shpejtë, ndërsa kërcënimet aktuale janë shumë më komplekse se ato të viteve të kaluara. Ai shtoi se kërcënimet me të cilat përballet Kosova sot janë shumë më komplekse sesa ato të një dekade më parë.
“Gjendja e sigurisë në nivel global, rajonal dhe në Kosovë po evoluon me shpejtësi. Kërcënimet me të cilat përballemi sot nuk janë më ato të një dekade më parë”, deklaroi Kurti ne konference per media.
Ai tha se ndër sfidat kryesore të viteve të fundit janë grupet e armatosura me organizim paraushtarak, kontrabanda me armë dhe mallra përgjatë vijës së gjelbër kufitare, infiltrimi i grupeve që cenojnë sovranitetin e vendit, si dhe përdorimi i teknologjive moderne, përfshirë dronët dhe sistemet antidron.
Kurti theksoi se sfidë mbetet edhe mbikëqyrja e territorit tokësor, ujor dhe ajror, sidomos në zonat me terren të papërshtatshëm, si dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike të Kosovës.
Duke folur për situatën e sigurisë në veri të vendit, ai përmendi sulmet ndaj institucioneve shtetërore, Policisë së Kosovës, qytetarëve dhe misioneve ndërkombëtare.
“Rastet si rrëmbimi i policëve dhe qytetarëve, sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve, sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, si dhe sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, tregojnë qartë nivelin e rrezikut me të cilin përballet shteti ynë”, tha Kurti.
Sipas tij, këto zhvillime kanë dëshmuar se kërcënimet ndaj sigurisë në shumë raste tejkalojnë kapacitetet standarde policore.
“Këto ngjarje dëshmojnë se grupet e armatosura me organizim paraushtarak, me armë të rënda dhe kapacitete operacionale ushtarake, përfshirë përdorimin e dronëve dhe sistemeve antidron, kanë rrezikuar dhe vazhdojnë të rrezikojnë seriozisht sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve të saj”, deklaroi ai.
Kurti tha se themelimi i Xhandarmërisë është i domosdoshëm për adresimin e sfidave të sigurisë.
“Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave dhe rreziqeve në rritje, themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re, e specializuar, moderne dhe e disiplinuar, paraqet një domosdoshmëri të kohës. Kjo strukturë do të plotësojë boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, u shpreh Kurti.
Ne fund Kurti shtoi se modeli i Xhandarmërisë është praktikë e njohur evropiane, duke përmendur Francën, Italinë, Spanjën dhe Portugalinë si vende që kanë struktura të ngjashme.
“Po ndjekim praktikat më të mira evropiane, por modeli i Kosovës do të ndërtohet sipas sistemit tonë kushtetues, specifikave dhe rrethanave tona”, përfundoi Kurti.