Kurti zbuloi pllakën përkujtimore në Shtuticë, kujton mizoritë e forcave serbe në Drenas
Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas homazheve në Marinë, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit. Duke kujtuar 274 dëshmorët dhe martirët, Kurti ka thënë se në zonën e Vërbovcit dhe Shtuticës në Drenicë gjatë ofensivës së 30 prillit, […]
Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas homazheve në Marinë, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit.
Duke kujtuar 274 dëshmorët dhe martirët, Kurti ka thënë se në zonën e Vërbovcit dhe Shtuticës në Drenicë gjatë ofensivës së 30 prillit, mbeten të vdekur dhjetëra shqiptarë të cilët e donin tokën e tyre dhe donin të jetonin të lirë e në paqe.
“Masakrat e kryera nga fundi i prillit në Drenicë, në Vërbovc e në Shtuticë, u kryen menjëherë pasi që NATO-ja pat bombarduar uzinën e hekur-nikelit brenda së cilës ishin vendosur forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Në zonën e Vërbovcit dhe Shtuticës në Drenicë gjatë ofensivës së 30 prillit, mbeten të vdekur dhjetëra shqiptarë të cilët e donin tokën e tyre dhe donin të jetonin të lirë e në paqe. Fshati i Shtuticës u sulmua gjithashtu herët në mëngjesin e 30 prillit. Shtutica kish qenë sulmuar njëherë më 20 mars, kur banorët e saj u shtrënguan të shpërnguleshin për një javë në Qirez”, ka thënë Kurti.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës vepronte për të çliruar Kosovën në tokë në çdo pëllëmbë të atdheut tonë, ndërkaq avionët e NATO-s goditnin caqet e forcave ushtarake e policore të Serbisë e Jugosllavisë së Millosheviqit.
“Por në mëngjesin e 30 prillit, kur forcat serbe sulmuan fshatrat e Shtuticës, Vërbovcit, Baksit dhe zonat përreth, kishte një numër të madh të njerëzve të cilët aso kohe patën ardhur nga fshatrat tjerë që të strehohen në zonën e Vërbovcit”, tha Kryeministri Kurti.
Sulmi i 30 prillit në Vërbovc, filloi në të gdhirë midis orës 5 dhe 7 të mëngjesit, pasi fshati u rrethua nga të gjitha anët.
Ofensiva vazhdojë deri në orën 16, pra deri në orën 4 pasdite. Ata qëlluan me tanke e mortaja. Numri i madh i vrasjeve ka ndodhur te ajo që quhet “Lugina e pyllëzuar”.
Rreth 100 burra shqiptarë u vranë dhe më shumë se 200 u burgosën gjatë operacionit. Të burgosurit u quan të xhamia e shkatërruar pranë Qirezit, dhe u mbajtën atje gjatë gjithë natës, e u torturuan.
Të nesërmen janë ngarkuar në kamion ata për t’i çuar në burgjet e Drenasit e të Lipjanit.
“Disa prej kamionëve u ndalën në minierën e Shavarinës pranë Çikatovës së Vjetër, rreth 100 burra u zbritën nga kamionët dhe aty u pushkatuan në mënyrën më mizore. Të mbeturit gjallë u quan në Drenas kur u morën në pyetje dhe u rrahën për pesë ditë me radhë. Numri i të vrarëve gjithsejtë tejkaloi më shumë se 200, madje thuhet është afër 300, e shifra më e saktë që përmendet është 274”.
Kryeministri Kurti pas homazheve në Marinë dhe zbulimit të pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta te varrezat e dëshmorëve në Verbovc të Komunës së Drenasit.















