“Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200” thanë Kryeministri e Ministri i Brendshëm.

Mirëpo kontrata e zyrtarëve policorë që protestuan të mërkurën e që ishin aktiv tërë kohën në Banjskë thotë se paga bazë e tyre është 631 euro bruto.

Nëse kanë marrë 2 mijë e 200 euro, atëherë ata është dashur të punojnë 500 orë jashtë orarit të rregullt.

Gjithsesi, më shumë qartësi nuk dha kryeministri Albin Kurti një ditë pasi shkroi statusin në Facebook. Shefi i Qeveri nuk iu ndalë mediave për tu deklaruar rreth paqartësive.

Statuset e kryeministrit Kurti dhe ministrit Xhelal Sveçla që policët morën paga mbi 2 mijë euro e që Kosova është shtet i varfër, nga komisioni parlamentar për siguri po thonë se ishin tendencë për të shkatërruar institucionin më kredibil në vend.

Shefi i këtij komisioni kërkon që të pranohen kërkesat e Policisë.

“Është e pakapshme për mendjen e një njeriu normal me dal i pari i Qeverisë edhe me thanë që polici e ka rrogën 2mije euro. A e dini çfarë mashtrimi dhe çfarë rrene është kjo. Kjo tendencë për ta degradu argumentin e policit është edhe më e keqe se krejt mashtrimet që i kanë bërë deri më sot”, ka thënë Bekë Berisha – Kryetar i Komisionit për Siguri.

Anëtarja e PDK-së në komisionin për siguri, Ganimete Musliu thotë se kjo është pjesë e strategjisë propaganduese të kryeministrit.

“Deklarata të tilla janë dekurajuse, demotivuese dhe shkatërrojnë në rend të parë moralin e policisë së Kosovës pastaj edhe integritetin e saj. Kemi te bëjë me një kryeministër të papërgjegjshëm e hajgaregji i cili nuk merr asgjë seriozisht”, ka deklaruar Ganimete Musliu – Komisioni për Siguri.

Njësia Speciale Intervenuese e Policisë të mërkurën kërkoi rritjen e propozimit të shtesës për rrezikshmërinë, kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirjen në listën e ekspertëve.