Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet që brenda pak ditësh, apo edhe orësh, t’u dërgojë ftesë për takim Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe partive të tjera parlamentare.
Sipas saj, qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi për konstituimin e institucioneve të reja dhe arritja e një dakordimi për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Kusari-Lila tha se pret që ftesat të dërgohen para seancës konstituive të Kuvendit, e caktuar për 6 gusht.
“Jam e bindur që shumë shpejt, para seancës konstituive, Kryeministri i Republikës së Kosovës, zotëri Albin Kurti, dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, koalicionit tonë të përbashkët, do të bëjë ftesë brenda pak ditëve ndoshta edhe orëve edhe për Lidhjen Demokratike, edhe për parti të tjera. Kjo në kuptimin që konstituimi i institucioneve, në veçanti edhe zgjedhja e presidentit, është një obligim i përbashkët i të gjithë deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës”, deklaroi ajo.
Kusari-Lila theksoi se dështimi për zgjedhjen e presidentit do ta çonte vendin sërish në zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër kohore, prandaj, sipas saj, nevojitet angazhim serioz nga të gjitha subjektet politike.
“Prandaj, për të parandaluar dhe evituar edhe një shkuarje në zgjedhje për të cilën duket se askush nuk e ka as vullnetin e as nuk e shohim se ka ndonjë arsye logjike shpresojmë që të gjithë të jenë të gatshëm të diskutojnë me seriozitetin më të lartë të mundur për detyrat që na takojnë si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Qëllimi është që institucionet të konstituohen brenda një periudhe të shkurtër kohore, që pas seancës konstituive të Kuvendit dhe eventualisht edhe zgjedhjes së Qeverisë, të caktohet menjëherë edhe data për votimin fillimisht dakordimin dhe votimin për presidentin e vendit”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të ofrojë një marrëveshje për partitë opozitare lidhur me çështjen e presidentit, Kusari-Lila tha se diskutimet mbeten të hapura, por çdo marrëveshje duhet të respektojë rezultatin e zgjedhjeve.
“Është e mundur të ofrohet diskutim e koalicion për qeverisje, ndërsa sa i përket çështjes së presidentit, është dakordimi i përbashkët i subjekteve qoftë vetëm me procesin e dakordimit, qëndrimit në sallë e votimit sipas vullnetit të tyre, apo edhe një marrëveshje më të gjerë. Është paksa problematike në rast se fillojnë të vendosen kushte të natyrës të cilat nuk përkojnë me vullnetin e qytetarëve të Republikës. Qytetarët kanë folur, rezultati dihet, dhe konform atij rezultati mund të pritet dakordimi politik në mes të subjekteve”, deklaroi ajo.
Sa i përket mundësisë që Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një emër për president gjatë takimeve të ardhshme, Kusari-Lila tha se kjo do të varet nga ecuria e bisedimeve ndërmjet partive politike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte paralajmëruar më herët se gjatë kësaj jave mund të ketë zhvillime konkrete sa i përket arritjes së një marrëveshjeje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Seanca konstituive e legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 6 gusht.