Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, në një konferencë për media e ka lavdëruar punën e Kuvendit të Kosovës për vitin 2022.

Kusari – Lila tha se Kuvendi i Kosovës, me shumicë deputetësh nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka pasur mbarëvajtjen më të mirë ndonjëherë.

Ajo tha se janë mbajtur 40 seanca plenare, 13 kanë qenë të rregullta, kurse të tjerat të jashtëzakonshme e solemne.

Ajo theksoi se në sesionin e vitit 2022, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar 102 projektligje në dy lexime.

“Në seancat e mbajtura janë miratuar 102 projektligje përderisa 49 janë në procedurë. Gjatë këtij viti Kuvendi ka miratuar buxhetin më të madh të miratuar ndonjëherë, 3.2 miliardë në afatet e parapara sipas rregullores. Kuvendi ka ratifikuar 27 marrëveshje ndërkombëtare”.

“Në Kuvend janë parashtruar 239 pyetje parlamentare në funksion të përgjegjësisë së Qeverisë. Grupi ynë parlamentar ka pasur tri nisma ligjore. Kuvendi ka pasur mbarëvajtjen më të mirë ndonjëherë në raport me takimet e komisionit parlamentar për Stabilizim-Asociim”, ka thënë Kusari-Lila.

49, sipas saj, janë miratuar në lexim të parë, dhe se pritet miratimi i tyre në sesionin tjetër.