Kusari – Lila: S’ka kërkesë zyrtare për shpërndarjen e Kuvendit
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka deklaruar se nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga partitë opozitare për shpërndarjen e Kuvendit. Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit, Kusari – Lila ka theksuar se kërkesat që janë prezantuar nga opozita janë për debat lidhur me qeverisjen e […]
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka deklaruar se nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga partitë opozitare për shpërndarjen e Kuvendit.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit, Kusari – Lila ka theksuar se kërkesat që janë prezantuar nga opozita janë për debat lidhur me qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, jo për shpërndarje të Kuvendit.
Po ashtu, ajo ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka propozuar edhe rrëzimin e Qeverisë Kurti, por këtë shefja e GP-së së VV-së ka potencuar se nuk e mbështesin.
Ajo ka shtuar se, megjithëse nuk kanë frikë nga zgjedhjet, ata nuk mund të miratojnë një kërkesë të tillë vetëm me një grup parlamentar të opozitës.
“Kërkesë zyrtare për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka, është vetëm kërkesa për debatin për tri vjet qeverisje e propozuar nga AAK-ja, e cila ka propozuar edhe rrëzimin e Qeverisë. Rrëzimin e qeverisë nuk e mbështesim dhe nuk konsiderojmë se ka arsye që të votohet në favor të kësaj kërkese. Asnjëherë nuk kemi thënë se kemi frik nga shkuarja në zgjedhje, apo rikonfimimi i mandatit te sovrani megjithatë nuk mund ta bëjmë këtë me vetëm njërin grup parlamentar të opozitës. Opozita duhet të jetë ajo që kërkon zgjedhje ose ndryshim të qeverisjes, ne konsiderojmë që kjo qeveri i ka plotësuar të gjitha kushtet për një mandat të plotë qeveritar”, ka deklaruar ajo në konferencë për media.
Kusari – Lila ka theksuar se opozita duhet të jetë e bashkuar në kërkesën për zgjedhje ose ndryshim të qeverisjes.
Në lidhje me numrin e votave të PDK-së në Kuvend, ajo përmend se ata kanë vetëm 18 vota, por nëse opozita është e bashkuar për shpërndarjen e Kuvendit, ata do ta trajtojnë dhe do të deklarohen për një datë të përbashkët për këtë.
“Grupi parlamentar i PDK-së ka vetëm 18 vota. Por nëse ke një opozitë të bashkuar e cila kërkon shpërbërjen e Kuvendit atëherë e trajtojmë edhe deklarohemi për datën e përbashkët për shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë tutje ajo.
Gjithashtu, Kusari-Lila, ka bërë të ditur se të enjten do të mbahet seancë e re, nga ora 10:00, ku në rend dite do të jenë votimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare.
Po ashtu, sipas saj, seancë tjetër do të mbahet të premten, me fillim nga ora 11:00, ku do të bëhet “shqyrtimi i procedurës së projekt rezolutës për tri vjet qeverisje”, e propozuar nga AAK-ja.















