Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qëllimi i përbashkët i partive politike duhet të jetë evitimi i zgjedhjeve dhe arritja e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit deri më 6 tetor.
“Emëruesi i përbashkët duhet të jetë që të evitohen zgjedhjet. Si evitohen zgjedhjet? Që vendi duhet të ketë një president deri më 6 tetor”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Sipas saj, partitë duhet të arrijnë konsensus për një kandidat për president dhe më pas të bashkëpunojnë për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në procesin e apelit.
“Kur të ketë vendi një president deri më 6 tetor, e para dhe më e rëndësishmja është që partitë të kenë një konsensus për një kandidat konsensual dhe pastaj të gjitha bashkë në punën e përbashkët, të kujdesshme e të rëndësishme për ligjin për Dhomat e Specializuara, në mbështetjen e ekipeve mbrojtëse për Apelin”, tha ajo.
Kusari-Lila për draftin që lidhet me Dhomat e Specializuara, ka thënë se ai duhet të shqyrtohet në mënyrë përmbajtësore, ndërsa Qeveria duhet të japë komentet e saj.
Ajo ka theksuar se nuk mund të japë vlerësim të detajuar për draftin, pasi nuk e ka parë atë.
“Unë nuk mund të marr lirinë të komentoj, për shkak se nuk e kam parë atë draft. Është çështje ligjore shumë më tepër komplekse sesa që mund t’ia japim lirinë vetes të komentojmë, por shumë e rëndësishme është që ka nevojë të shqyrtohet përmbajtësisht dhe, natyrisht, të ofrohen të gjitha mundësitë që sa më mbarë të vazhdohet me procedimin e mëtejshëm”, u shpreh ajo.
Ajo ka theksuar se zgjidhjet, sipas saj, duhet të gjenden përmes bashkëpunimit, mirëbesimit dhe mirëkuptimit ndërmjet partive.