“Ajo që është shumë zhgënjyes mosreagimi i presidentes [Vjosa Osmanit për rastin e sulmimit ndaj gazetarit Valon Syla] mirëpo kjo tregon me shumë për presidenten sesa për gazetarët e pritet që në situata të tilla presidentja e vendit me dalë në mënyrë shumë të qartë e jo me lanë mundësi për dykuptimësi, por me thanë që unë jam kundër dhunës dhe sulmet e tilla janë të papranueshme”, kështu ka vlerësuar ekspertja ligjore për media, Flutura Kusari.

Kusari ka folur në emisionin Radar me Edita Dolin për reagimet e krerëve të shtetit të Kosovës, që sipas saj janë shumë të rëndësishme kur sulmohet një person fizikisht për shkak të lirisë së shprehjes.

“Nëse ne nuk reagojmë [kur sulmohet një person fizikisht për shkak të bindjeve të tij] atëherë ajo normalizohet”, ka thënë Kusari.

Sipas saj, rreziku nga mosreagimi është nëse sot ty nuk të ka prekur personalisht, nesër ajo mund të ndodhë ty personalisht.

“Kur të ndodhin raste të dhunës është e rëndësishme që me reagu të gjithë, e në veçanti më së shumti ata njerëz që kanë pushtet e të cilët janë në pushtet, duke nisur nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca etj. Arsyeja pse duhet të reagojnë këta njerëz është sepse këta janë me shumë mbështetës, janë ndër njerëzit më të votuar. Duke reaguar dhe duke dënuar dhunën ata u japin mesazh të gjithë votuesve të vet dhe krejt publikut që dhuna është e papranueshme”, ka thënë ajo.