Kusari për sulmin ndaj Valon Sylës: Po t’i ndodhte presidentes apo kryeministrit do të trajtohej ndryshe
Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, është shprehur e shqetësuar me mënyrën se si është kualifikuar sulmi fizik ndaj gazetarit Valon Syla. Ajo ka thënë se dënimet ndaj të dyshuarve do të jenë minimale, për shkak se rasti është cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”, teksa shtoi se po t’i ndodhte një gjë […]
Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, është shprehur e shqetësuar me mënyrën se si është kualifikuar sulmi fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
Ajo ka thënë se dënimet ndaj të dyshuarve do të jenë minimale, për shkak se rasti është cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”, teksa shtoi se po t’i ndodhte një gjë e ngjashme presidentes apo kryeministrit të Kosovës, do të trajtohej më ndryshe.
“Jam jashtëzakonisht e shqetësuar që lëndimi ndaj Valon Sylës është kualifikuar si lëndim i lehtë trupor, që nënkupton që sulmuesit do të marrin dënime minimale. Nëse do t’i ndodhte kjo presidentes apo kryeministrit, normalisht do të trajtohej ndryshe”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo tha se në këso lloj rastesh ku sulmohen gazetarët, reagimet nga njerëzit e pushtetit duhet të jenë të menjëhershme.
Ajo e kritikoi presidenten Vjosa Osmani, e cila ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë rast.
“Niveli i parë i reagimit do të duhej të jetë deklarativisht, kryeministri, presidentja duhet të deklarojnë publikisht që e dënojnë sulmin dhe që janë kundër dhunës, për fat të keq mbrëmë vetëm Glauk Konjufca reagoi, sot mezi edhe kryeministri, por presidentja derisa po e zhvillojmë këtë bisedë nuk ka reaguar ende. Kjo është problematike sepse ata duhet ta përçojnë mesazh publikut në veçanti votuesve të tyre që nuk e përkrahin dhunën ndaj gazetarëve”, tha ajo.
Sipas saj, dënimet e ulëta në rastet kur sulmohen gazetarët janë një nga faktorët pse njerëzit mund të ushtrojnë dhunë ndaj tyre dhe të mos kenë frikë.
“Dënimet e ulëta në rastet kur dënohen gazetarët është një nga faktorët kryesorë përse njerëzit ende kanë guximin t’i sulmojnë gazetarët, qoftë duke i rrahur apo kërcënuar online. Herën e kaluar dhunuesi i Valonit është dënuar me 4 mijë euro, që është një gjobë qesharake, dhe ka raste kur gazetarët gra janë kërcënuar me dhunë dhe me vrasje dhe janë dënuar me 500 euro, kjo politikë ndëshkimore tregon që nuk është e suksesshme dhe duhet të ndryshohet”, tha ajo.
Ajo u ka bërë thirrje organeve kompetente që sa më parë të gjenden fajtorët dhe ta marrin dënimin e merituar.















