Kusari: Rezoluta e opozitës për energjinë elektrike nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes

Shefja e Grupit Parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, Rezolutën për energjinë elektrike nga PDK-ja e quan joserioze dhe që nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes

Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila

Pas propozimit të Rezolutës për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe heqjen e bllok tarifave nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), shefja e Grupit Parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka thënë se kjo Rezolutë nuk është serioze dhe nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes.

Në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, teksa u drejtohet deputetëve të opozitës, Kusari thotë se “për të gjitha veprimet në kuadër të vendimmarrjes për zgjidhje natyrisht jemi këtu, ndërsa hetimeve dhe bllokadave ju kemi juve”.

“Rezoluta e prezantuar nuk është serioze dhe nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes, kjo nuk është risi në vetvete”, tha ajo.

Ajo theksoi se kërkesa e sotme nuk përmban asnjë risi nga opozita dhe se, siç thotë Kusari, kjo kërkesë është kopje dhe përsëritje e të njëjtave kërkesave nga vitet e kaluara, ku situata, sipas saj, ishte shumë më dramatike.

Sipas saj, pozita në kuvend ka qenë seriozisht e angazhuar në gjetjen e zgjidhjes dhe ofrimin e lehtësirave për ballafaqimin e vështirë me situatën energjetike.

“Ne si pozitë kemi punuar dhe miratuar strategjinë për energjinë 2022-2031, e cila parasheh rritjen e kapaciteteve të burimeve të ripërtërishme deri në 1300 MW… Kemi miratuar plotësimin e ndryshimit të ligjit për energjinë…”, shtoi më tej ajo.

Ajo konsideron se është e rëndësishme që kjo temë të trajtohet si pikë e rregullt në një seancë të rregullt.

“Viti filloi mbarë me realizimin e proceseve për të cilat pritëm gjatë… shteti ynë ka hyrë në një rrugëtim të shpejtë dhe të drejtë për konsolidim të demokracisë. Është e rëndësishme që kjo temë të trajtohet si pikë e rregullt e një seance të rregullt të kuvendit. Por, sikur të ndodhte kjo që në fillim në temën e energjisë do të duhej të flisnim për zbatimin e energjisë në katër komunat në veri të vendit”, tha ajo.

Ndryshe, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se energjia elektrike e lirë e KEK-ut është zëvendësuar me energjinë e shtrenjtë të importuar.

“Arsyeja e kësaj rritjeje të çmimit qëndron te fakti i çuditshëm menaxherial. Kemi zëvendësuar energjinë e lirë të KEK-ut, me energjinë e shtrenjtë të importuar. Kush ka përfituar nga ndërprerja e energjisë dhe si kanë përfituar, është çështje që duhet të hetohet. KEDS ka importuar rrymë me kosto prej 18 milionë eurosh, dhe kjo rritje e çmimit është e papërballueshme për qytetarët”, ka thënë ai.

Kjo Rezolutë e prezantuar nga PDK-ja, përmban pesë pika:

  1. I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që brenda afatit të arsyeshëm kohor të anulojë vendimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, respektivisht në bursat respektive ndërkombëtare;
  2. I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin – heqjen e bllok tarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë;
  3. I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ndërmarrjen e masave në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024.
  4. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike;
  5. Kërkon nga Zyra për Rregullatorin e Energjisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që në afat sa më të shkurtër kohor të njoftojë Kuvendin për përmbushjen e pikave 1, 2, 3 dhe 4 të kësaj rezolute.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika