Kush është Justina Shiroka-Pula, presidentja e re e Kosovës

Justina Shiroka-Pula është presidentja e re e Republikës së Kosovës, e zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës pas procesit të votimit në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur mes të martës e të mërkurës.

Shiroka-Pula është akademike dhe aktualisht drejton Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).

Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, Shiroka-Pula ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë.

Shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Studimet pasuniversitare në fushën e Teorisë dhe Politikës së Zhvillimit Ekonomik i ka vijuar në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Zagreb, ku është diplomuar në vitin 1984. Ajo është doktoruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, me tezën e doktoratës “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Karrierën profesionale e nisi për një periudhë të shkurtër në Bankën Popullore të Kosovës. Në vitin 1978 filloi punën në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, si asistente për lëndën “Kërkimet Operacionale”.

Gjatë karrierës akademike, Shiroka-Pula ka kaluar nëpër të gjitha nivelet e avancimit akademik dhe në vitin 2004 është zgjedhur profesoreshë ordinare.

Ajo ka mbajtur disa pozita në Universitetin e Prishtinës, përfshirë atë të shefes së Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës. Ka qenë gjithashtu anëtare e Senatit dhe e Bordit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Shiroka-Pula ka kryer studime dhe trajnime postdoktorale jashtë vendit, përfshirë në Universitetin e Lincit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveç karrierës akademike, presidentja e re e Kosovës ka pasur edhe përvojë në politikë dhe institucione publike.

Nga viti 2008 deri më 2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës. Ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Shiroka-Pula është propozuar për presidente nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa pas votimit në Kuvend është zgjedhur në krye të shtetit.

Me zgjedhjen e saj, Shiroka-Pula merr detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës, pas një procesi politik të përcjellë me negociata mes partive parlamentare dhe afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Justina Shiroka-Pula zgjidhet Presidente e Kosovës

Shija e redaktorit

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Të fundit nga rubrika