Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim në lidhje me kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që ka të bëjë me amandamentet kushtetuese për vetingun në sistemin e drejtësisë.

Sipas një njoftimi të gjykatës të publikuar të premten, tri nga katër amendamente nuk i pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme, dhe ka konstatuar: (i) me gjashtë (6) vota për dhe dy (2) vota kundër, që amendamenti i propozuar kushtetues nr.29, përmes të cilit propozohet kontrolli kalimtar/i përkohshëm i integritetit të ‘[…]anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorëve, si dhe kandidatëve për këto pozita[…]’, nga Autoriteti për Kontrollin e Integritetit (Autoriteti), nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës; (ii) njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të ‘mosrespektimit të rëndë të detyrave’, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimet “në mënyrë të vazhdueshme është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme” ose “ka bërë shkelje të rënda disiplinore”, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës; (iii) njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të ‘mosrespektimit të rëndë të detyrave’, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin ‘është vërtetuar se ka pasuri të pajustifikueshme’ me vendim gjyqësor përfundimtar, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës; ndërsa (iv) njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të ‘mosrespektim të rëndë të detyrave’, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin ‘ka integritet të cenueshëm’, pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës”, thuhet në vendim.

Aktgjykimi në fund thekson që nuk është kontestuese që pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe sistemit prokurorial janë parime thelbësore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, e cila bazohet në vlerat e sundimit të ligjit dhe të demokracisë.