Kushtetuesja rrëzon Ligjin për KPM-në, i jep dritën jeshile Ligjit për KPK-në
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritën jeshile Ligjit për Këshillin Prokurorial si në përputhje me Kushtetutën, ndërsa ka shfuqizuar tërësisht Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave për shkak të mospërputhjes me disa nene kushtetuese, duke mbrojtur pavarësinë institucionale dhe liritë themelore. Të dy këto ligje ishin kontestuar nga deputetë të opozitës, përkatësisht nga legjislatura […]
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritën jeshile Ligjit për Këshillin Prokurorial si në përputhje me Kushtetutën, ndërsa ka shfuqizuar tërësisht Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave për shkak të mospërputhjes me disa nene kushtetuese, duke mbrojtur pavarësinë institucionale dhe liritë themelore.
Të dy këto ligje ishin kontestuar nga deputetë të opozitës, përkatësisht nga legjislatura e kaluar e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Kushtetuesja ka refuzuar pretendimet e deputetëve të opozitës për shkelje kushtetuese dhe ka lejuar që ligji i kontestuar të shpallet nga Presidentja e Kosovës.
“Gjykata ka vendosur, (i) njëzëri, të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë, me gjashtë vota për dhe një kundër, se nënparagrafët 1.3, 1.4 të paragrafit 1, dhe nënparagrafët 2.4 dhe 2.8 të paragrafit 2 të nenit 5 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk janë në kundërshtim me nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] në ndërlidhje me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, njëzëri, se paragrafi 1 i nenit 7 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iv) të konstatojë, njëzëri, se neni 16 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi sqaron që plotësim-ndryshimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial ishte objekt i vlerësimit nga Gjykata në rastet KO100/22 dhe KO101/22. Rrjedhimisht, si rezultat i Aktgjykimit të Gjykatës në ato raste, Qeveria miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili pas përcjelljes në Kuvend me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit ishte dërguar në Komisionin e Venecias. Pas opinionit pasues nga Komisioni i Venecias, më 11 korrik 2024, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Ligjin Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji i kontestuar)”, thuhet në njoftim.
Ligji për KPM-në
Ndërkaq, gjykata e ka shpallur si antikushtetues Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i miratuar më 11 korrik 2024.
Vendimi erdhi pas shqyrtimit të kërkesave të bashkuara të dorëzuara nga deputetët Abelard Tahiri dhe Arben Gashi, secili me nga nëntë nënshkrues nga Kuvendi i Kosovës, të cilët kontestuan kushtetutshmërinë e këtij ligji.
Gjykata njëzëri ka pranuar kërkesat dhe ka konstatuar se disa dispozita kyçe të ligjit bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht me nenin 141 që garanton pavarësinë e KPM-së, si dhe me nenet 7, 42 dhe 119 që mbrojnë vlerat themelore kushtetuese, lirinë e mediave dhe të drejtën për veprimtari ekonomike.
Si rrjedhojë, Gjykata ka vendosur ta shfuqizojë tërësisht Ligjin e kontestuar.
Sipas aktgjykimit, Ligji është miratuar pa përfshirje adekuate të publikut dhe pa transparencë, duke cenuar parimet demokratike të procesit ligjvënës. Gjithashtu, ai ka cenuar të drejtën për mjete juridike efikase, pavarësinë institucionale të KPM-së, dhe ka ndërhyrë në pronësinë dhe funksionimin e mediave në mënyrë jo proporcionale dhe të papajtueshme me standardet evropiane.
“Aktgjykimi sqaron se, neni 43 i Ligjit të kontestuar përcakton detyrimin për të licencuarit/regjistruarit që në lidhje me ndryshimin e pronësisë të (i) njoftojnë Komisionin e Pavarur të Mediave; dhe (ii) të marrin aprovimin nga Komisioni i Pavarur i Mediave për ndryshim të pronësisë mbi vlerën dhjetë përqind (10%) të aksioneve të të licencuarave/regjistruarave. Përderisa, një i licencuar/regjistruar nuk mund të zotërojë më shumë së dhjetë përqind (10%) të aksioneve në një të licencuar/regjistruar tjetër. Në rrethanat e Ligjit të kontestuar, Gjykata theksoi se nuk është kontestuese që (i) marrja e aprovimit paraprak nga Komisioni i Pavarur i Mediave përkitazi me ndryshimin e pronësisë mbi vlerën dhjetë përqind (10%) të aksioneve të të licencuarave/regjistruarave; dhe (ii) kufizimi që një i licencuar/regjistruar të mos ketë të drejtë të zotëroj më shumë se dhjetë përqind (10%) të aksioneve në një të licencuar/regjistruar tjetër, hyn në kuadër të së drejtës të licencuarave/regjistruarave që të disponojnë me asetet e tyre mediale dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Në këtë aspekt, bazuar në praktikën të konsoliduar gjyqësore të Gjykatës dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duhet vlerësuar nëse një ndërhyrje e tillë (i) është e përcaktuar me ligj; (ii) ndjek një qëllim legjitim; dhe nëse po, (iii) nëse i njëjti është proporcional. Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht vlerësoi dispozitat e kontestuara, në ndërlidhje me dispozitat tjera të Ligjit të kontestuar që kanë të bëjnë me aprovimin e bartjes së pronësisë, në kuadër të “përcaktueshmërisë me ligj” si pjesë përbërëse të sigurisë juridike të përcaktuar në nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës.
Në këtë aspekt, dhe sa i përket, (i) obligimit për të marrë aprovimin nga Komisioni i Pavarur i Mediave me rastin e ndryshimit të pronësisë, Gjykata vërejti se, përderisa paragrafi 2 i nenit 43 të Ligjit të kontestuar përcakton obligimin për aprovim paraprak nga Komisioni i Pavarur i Mediave vetëm për ndryshimin e pronësisë mbi vlerën dhjetë përqind (10%) të aksioneve të të licencuarave/regjistruarave, paragrafi 2.4 i nenit 4 të Ligjit të kontestuar, përcakton detyrim për aprovim edhe për rastet kur vlera e ndryshimit të pronësisë është dhjetë përqind (10%) apo me e ulët, pasi i njëjti vë theksin në “çdo ndryshim të pronësisë”, dhe jo standardin e përcaktuar në nenin 43 të Ligjit të kontestuar, që është vlera mbi dhjetë përqind (10%). Ngjashëm përcakton edhe paragrafi 5 i nenit 25 të Ligjit të kontestuar. Prandaj, Gjykata ka vlerësuar se kjo ka rezultuar në dispozita kundërthënëse brenda ligjit, të cilat nuk plotësojnë kriterin e “qartësisë” dhe “parashikueshmërisë” së normës. Rrjedhimisht Gjykata vlerësoi se nën-paragrafët 2.4 dhe 2.5 të paragrafit 2 të nenit 4 (Kompetencat e KPM-së), paragrafi 5 i nenit 25 (Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre) dhe paragrafi 2 i nenit 43 (Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.















