Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme, me të cilin ishte anuluar Rregullorja e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për mandatin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.
Rasti u iniciua nga KPK-ja, e cila kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme të 14 korrikut 2025. Kushtetuesja, me vendim unanim, konstatoi se Supremja kishte shkelur të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe kishte cenuar pavarësinë kushtetuese të KPK-së. Për pasojë, aktgjykimi u shpall i pavlefshëm dhe lënda u kthye për rishqyrtim.
Kontesti lidhej me ndryshimet që KPK-ja kishte bërë në vitin 2025 në Rregulloren për Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik. Sipas rregullores së re, mandati i koordinatorit përcaktohej trevjeçar, me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër pas vlerësimit pozitiv të punës.
Prokurori Shqipdon Fazliu, i cili e ushtronte këtë detyrë që nga viti 2013, kishte paditur KPK-në duke pretenduar se ndryshimet ishin zbatuar në mënyrë retroaktive dhe cenonin pozitën e tij. Gjykata Supreme e kishte aprovuar padinë dhe kishte shfuqizuar rregulloren.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Kushtetuta dhe Ligji për Këshillin Prokurorial nuk e obligojnë KPK-në të konsultohet me institucione të tjera për organizimin e brendshëm apo emërimin e prokurorëve në funksione të caktuara.
Sipas Kushtetueses, KPK-ja gëzon pavarësi institucionale në rregullimin e këtyre çështjeve, për aq kohë sa vepron në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Gjykata theksoi gjithashtu se posti i Koordinatorit Kombëtar nuk kishte pasur mandat të përcaktuar qartë me legjislacionin e mëparshëm. Për këtë arsye, vendosja e një mandati trevjeçar nuk mund të konsiderohet kufizim i një mandati ekzistues të garantuar me ligj.
Kushtetuesja konstatoi se Gjykata Supreme kishte interpretuar dhe zbatuar gabimisht ligjin, duke mos përmbushur standardet e një procesi të rregullt gjyqësor.