Autoritetet e Kuvajtit kanë njoftuar se një objekt i rëndësishëm i sektorit të naftës ka pësuar dëme të konsiderueshme pas sulmeve të përsëritura iraniane, ndërsa disa persona kanë mbetur të plagosur.
Në një deklaratë, Korporata e Naftës e Kuvajtit (Kuwait Petroleum Corporation) bëri të ditur se të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor dhe se objekti është evakuuar. Megjithatë, nuk u bë e ditur numri i të plagosurve dhe as shkalla e saktë e dëmeve.
Ndërkohë, Shërbimi i Zjarrfikësve të Kuvajtit njoftoi se ekipet e tij po luftojnë me dy zjarre të shpërthyera në dy lokacione të ndryshme pas sulmeve, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Sipas Ministrisë së Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Rinovueshme, një central për prodhimin e energjisë elektrike dhe një impiant për desalinizimin e ujit janë goditur gjithashtu nga sulmet iraniane.
Autoritetet thanë se pesë ekipe zjarrfikësish dhe tre ekipe të sektorit të naftës u angazhuan për shuarjen e flakëve në një nga lokacionet e goditura. Gjatë operacionit u plagosën disa zjarrfikës dhe një punëtor, ndërsa tri ekipe të tjera po punojnë për të vënë nën kontroll zjarrin në vendin tjetër.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kuvajtit dënoi sulmet, duke akuzuar Iranin për “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare” për shkak të goditjes së centraleve energjetike dhe impianteve të desalinizimit të ujit.
Në deklaratë, ministria theksoi se Kuvajti rezervon të drejtën “të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur sigurinë dhe sovranitetin e tij.