Kuvendi dështon për herë të 48-të – afati kushtetues po skadon
Për të 48-tën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën ta konstituojnë legjislaturën e re. As në seancën e mbajtur këtë të enjte nuk pati sukses në formimin e komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit. Në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë. Prej tyre, 51 votuan për, asnjë kundër […]
Për të 48-tën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën ta konstituojnë legjislaturën e re. As në seancën e mbajtur këtë të enjte nuk pati sukses në formimin e komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit.
Në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë. Prej tyre, 51 votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Situata në sallë u tensionua kur disa deputetë të opozitës tentuan të marrin fjalën, por u ndërprenë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, kërkoi të fliste ndonëse iu kërkua të largohej nga foltorja. Ai vazhdoi të flasë edhe me mikrofon të ndalur.
I njëjti veprim u përsërit edhe nga deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, dhe më pas nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj – të cilëve gjithashtu iu ndërpre mikrofoni.
Pavarësisht disa fjalimeve të shkurtra nga opozita, seanca përfundoi pa vendim konkret.
Seanca e radhës është caktuar për të shtunën, më 20 korrik, në ora 11:00.
Ndërkohë, kanë mbetur vetëm 9 ditë nga afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit.















